“Peshkaqenit” dhe Syziut iu sekuestrohen pasuritë, kunetër dhe bosë droge në Europë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.03.2024, 10:49

Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka sekuestruar dhjetëra llogari bankare me vlerë mijëra Euro, prona dhe apartamente, automjete e shoqëri tregtare në Shqipëri që i përkasin dy kunetëve Princ Dobroshi dhe Olsi Syziu.

Princ Dobroshi nga Kosova i njohur edhe me nofkën “Peshkaqeni” dhe Olsi Syziu nga Shqipëria janë duke u hetuar në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika e Jugut drejt shtetit gjerman. Për shkak të hetimeve ndaj tyre në Gjermani, SPAK po i heton ata në vendin tonë për pasurinë nën dyshimin se është përfituar nga veprimtari kriminale.

Subjektet e hetimit pasuror kanë lidhje krushqie me njëri tjetrin, pasi Princ Dobroshi ka për grua motrën e Olsi Syziut.

Princ Dobroshi njihet ndërkombëtarisht si njëri nga personat me veprimtari të dyshuar kriminale. Dobroshi ka qenë i dënuar për përfshirje në trafikun e drogës, saktësisht heroinës. Për këtë dhe vepra të tjera Dobroshit i është ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Evropian. Në vitin 1993, Debroshi është kapur në Norvegji dhe është dënuar me 14 vjet burg për trafikim të heroinës. Në vitin 1997 Princi kishte arritur të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu duke shkuar në Çeki ku raportohet se ka dominuar trafikimin e drogës atje.

Pasuritë e sekuestruara:

1. Dhjetë llogari bankare me gjendje në total rreth 133 000 (njëqind e tridhjetë e tre mijë) Euro;

2. Pasuria e paluajtshme e llojit godinë banimi, me adresë, “Gjiri i Lalzit”, Draç, Durrës, me sipërfaqe: kati përdhe 92 m², kati i parë 97 m², kati i dytë 55 m² + verandë me sipërfaqe 42 m² dhe sipërfaqe e përbashkët 576 m², në pronësi të shtetases S.R;

3. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament me sipërfaqe 61.38 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

4. Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 95.96 m², e regjistruar në emër të shtetasve Olsi Syziu, B.S, A.S dhe M.C (S), në Rezidencën “Kodra e Diellit”, Selitë, Tiranë;

5. Pasuria e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 198.4 m2 banim, dhe dy poste parkimi, me sipërfaqe totale 234.1 m2 me adresë “Liqeni i Thatë”, Tiranë;

6. Pasuria e luajtshme automjet i markës “Volvo”, modeli “XC 60”, viti i prodhimit 2015, ngjyrë e zezë, në pronësi të shtetases A.S.

7. Shoqëria tregtare “SLAI”, me numër identifikimi tatimor (NIPT): M18330301H, me adresë në qytetin e Lezhës, si dhe me ortak të vetëm shtetasin Olsi Syziu.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit