AKSHI i jep 6 milionë euro Ermal Beqirit të SOFT & SOLUTION

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 22.03.2024, 22:05

Mirlinda Karçanaj vazhdon e qetë aktivitetin e saj të shpërndarjes së parave të shqiptarëve në xhepat e oligarkëve. Prej kohësh institucioni që ajo drejton është bërë i famshëm për organizimin e tenderave të dyshimtë të cilët janë të denjë për t’u hetuar nga SPAK.

Por megjithatë duket sikur asgjë nuk ndodh dhe Mirlinda e AKSHIT vazhdon e pa shqetësuar të shpërdorojë paratë publike. Në rastin konkret rezulton se i ka dhënë rreth 6 milionë euro me TVSH Ermal Beqirit të kompanisë SOFT & SOLUTION.

Bëhet fjalë për një tender që mban numrin e referencës REF-93730-01-24-2024 dhe ka si objekt “Implementimi i Sistemit të Qendërzuar për Dokumentet me Nënshkrim elektronik 2.0, Modulit të Administratës Publike”.

Fondi limit i tenderit është caktuar në vlerën 577,884,997 lekë të reja pa TVSH ose rreth 6.7 milionë euro me TVSH. Nëse shikojmë dokumentacionin e kësaj procedure, vihet re se kanë marrë pjesë 4 kompani.

Prej tyre, 2 firma kanë dhënë oferta më të ulëta sesa kompania e Ermal Beqirit, e megjithatë nuk janë marrë parasysh nga AKSHI. Përfundimisht tenderin e ka fituar pikërisht Ermal Beqiri dhe firma e tij SOFT & SOLUTION për vlerën 513,579,899 lekë të reja pa TVSH ose rreth 6 milionë euro përfshirë TVSH.

Nga ana tjetër nëse bëjmë raportin mes kësaj vlere fituese dhe fondit limit, del se Ermal Beqiri ka ofruar gati sa 89% e këtij fondi. Në një kohë kur askush nuk po e ndalon AKSHI-n të organizojë tendera të dyshimtë, gjasat janë që Mirlinda Karçanaj të vazhdojë përsëri me procedura të tjera me vlera të frikshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit