Nipi i Sadri Abazit kullufit 800 milionë lekë bashkë me Fushën për pastrimin e bregdetit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01.06.2023, 19:04

Vijojnë pa ndalur tenderat me shifra të frikshme pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Tashmë pasi siguruan fitoren në xhep, pushtetarët kanë vazhduar pa u dridhur dora që të shpërdorojnë paratë e mbledhura nga qytetarët që paguajnë taksa.

Në rastin konkret është Agjencia Kombëtare e Bregdetit e drejtuar nga Ledion LAKO, ajo që ka marrë stafetën. Ky institucion ka organizuar një tender që mban numrin e referencës REF-62809-03-17-2023 dhe ka si objekt: “Loti 2 – Shërbimi i Pastrimit të Zonës Bregdetare për Bashkitë Vlorë, Himarë, Sarandë”.

Fondi limit i kësaj procedure prokurimi kap shifrën e 70,882,670 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 800 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nëse i hedhim një sy dokumentave të procedurës shikojmë se kanë marrë pjesë vetëm dy garues.

Garuesi i parë është bashkimi i operatorëve ALKO IMPEX CONSTRUCTION dhe FUSHA, ndërsa garuesi i dytë, PASTRIME SILVIO. Ndonëse ky i fundit ka ofruar ofertën më të ulët, gati 45 milionë lekë të vjetra më pak, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ALKO IMPEX CONSTRUCTION e nipit të Sadri Abazit & FUSHA e Shkëlqim Fushës.

Dyshja e “peshkaqenëve” të tenderave, është shpallur fituese për vlerën 69,470,544 lekë të reja pa TVSH ose rreth 800 milionë lekë të vjetra me TVSH. Dyshimet se kemi të bëjmë me një tender me fitues të paracaktuar shtohen më tej edhe nga fakti se vlera fituese është sa 98% e fondit limit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit