Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi, ka “nxjerrë kokën” përsëri nga foleja. Kompania e tij, ALKO-IMPEX General Construcion ka përfituar plot 3.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH për pastrimin dhe largimin e mbeturinave në Bashkinë Vorë.
Pas fitimit të milionave e miliardave në vitet e fundit, “koleksionit” të tij të tenderave të dyshimtë i shtohen pikërisht edhe 3.2 miliardë lekë të tjera. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-35239-07-04-2022 dhe me objekt “Shërbimi i Pastrimit dhe largimit të mbeturinave për Bashkinë Vorë”.
Fondi limit i kësaj procedure është llogaritur në vlerën 273,460,221 lekë të reja pa TVSH ose rreth 3.3 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Nëse i hedhim një vështrim dokumentacionin e këtij tenderi shikohet se në garë kanë marrë pjesë në total 5 kompani, nga të cilat dy kanë ofruar vlera më të ulëta sesa kompania ALKO-IMPEX General Construcion e nipit të Sadri Abazit.
Madje nëse bëjmë llogaritë, del se diferenca mes tyre nuk është e vogël por mbi 300 milionë lekë të vjetra me TVSH. Natyrisht një shifër e tillë nuk është aspak e vogël dhe në rastin më të mirë do të ishte një humbje e pastër për shtetin.
Por duket se kjo diferencë kaq e madhe mes fituesit dhe dy firmave të tjera nuk i ka bërë aspak përshtypje Bashkisë Vorë dhe ka shpallur pa mëdyshje si fituese ofertën e kompanisë ALKO-IMPEX General Construcion për një vlerë prej rreth 3.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Nga ana tjetër kjo vlerë rezulton të jetë sa 97.6% e vlerës së fondit limit, duke rritur dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.