Ishte krah tij në momentin e vrasjes, zbardhet dëshmia e gruas së ish-deputetit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.11.2021, 21:39

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati ndaj ish-deputetit dhe ish-kreut të Komunës Velipojë, Pashko Ujka, i cili u qëllua me armë zjarri nga pas nga një person ende i paidentifikuar.

Mësohet se në momentin e vrasjes ai ishte me bashkëshorten e tij pranë shtëpisë së tyre në lagjen "Vasil Shanto" në Shkodër.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 64-vjeçai u qëllua me armë të pajisur me silenciator.

Ky dyshim përforcohet nga dëshmia e gruas së viktimës, e cila deklaroi se në momentin e vrasjes ajo nuk kuptoi asgjë teksa pa të shoqin të binte përtokë.

Fillimisht ajo mendoi se nuk ishte ndjerë mirë pasi së fundmi ai kishte shfaqur disa probleme shëndetësore.

“Nuk kam parë asgjë dhe as nuk kam dëgjuar krisma. Kam parë Pashkon që është shtrirë në tokë. Nuk kemi asnjë konflikt apo përplasje”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera në dëshminë e saj bashkëshortja e Ujkës.

64-vjeçari humbi jetën në spital pasi nuk mundi dot t'i mbijetonte plagës që mori në shtyllës kurrizore.

Disa vite më parë shtëpia e Ujkës ishte sulmuar nga persona të paidentifikuar, të cilët qëlluan me armë zjarri në drejtim të banesës së tij, por pa dëme në njerëz.

Ujka kishte mbajtur postin e kryetarit të Komunës së Velipojës gjatë viteve 2011-2015. Më herët ai kishte qenë dhe deputet i PDK-së.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit