Të shtunën mediat italiane zbuluan se biznesmeni Davide Pecorelli është gjallë. Prej 8 muajsh ai rezultonte i zhdukur, ku kishte inskenuar me përsosmëri edhe djegien e tij brenda një makine në një fshat të Pukës. Ai mbërriti në Shqipëri në fillim të janarit dhe që prej atij momenti humbi të gjitha gjurmët me të afërmit e tij duke i bërë ata të mendojnë se ai ka vdekur. Për gjithë këtë ngjarje të inskenuar për të shpëtuar nga borxhet që kishte, Pecorelli do të përballet me akuza të ndryshme në Itali por edhe në vendin tonë.
Prokuroria e Pukës ka ngritur disa akuza për biznesmenin italian pasi në makinën e tij të djegur u gjetën mbetje kockore të një njeriu. Kështu Pecorelli do të akuzohet për shkatërrimin e pronës, pasi dogji mjetin që e kishte marrë me qira në një kompani private në Rinas. Akuza tjetër është ajo e dhunimit të varreve, pasi eshtra e gjetur në vendngjarje dyshohet të jetë marrë në varreza të vjetra. Pecorelli do të hetohet edhe për kalim të paligjshëm të kufirit. Kjo, pasi ai kaloi në mënyrë ilegale dhe me identitet të rremë kufirin nga Hani i Hotit deri në Itali.