Të gjithë e mbajmë mend historinë e boksierit Klevis Çelaj nga Vlora që kur u shpall kampion dy vite më parë në peshën 50 kg dhe më pas mori vëmendjen e të gjitha mediave. Dhe normalisht një vëmendje e tillë ishte e justifikuar për faktin se ai falë punës dhe përkushtimit arriti të realizonte ëndrrën e tij. Deri këtu në gjithçka duket në rregull. Por çfarë fshihet pas kampionit Çelaj? Historia e tij është padyshim e trishtë dhe tejet prekëse. Pikërisht për këtë ai ka vendosur të rrëfejë edhe njëherë në një intervistë për emisionin “Jo Anonim” në JOQ Albania. Klevisi vjen nga një familje e varfër anëtarët e së cilës për më tepër janë të sëmurë dhe sytë i kanë nga ai.
Klevisi shprehet se edhe pse e ka kapluar mjerimi dhe varfëria, ai prapë nuk dorëzohet dhe boksi është ajo që e bën të ndihet i lirë dhe për pak minuta të harrojë gjithçka dhe të përqëndrohet tek fitorja. Më tej ai kërkon ndihmë nga shqiptarët jashtë shtetit, kushdo që ka mundësi ta ndihmojë t’i gjejë një punë, pasi të ardhmen dhe mbështetjen nga shteti shqiptar ai e barazon me zero. Ai shton se kur del nga shtëpia shpreson që të gjejë ndonjë punë me qëllim që të çojë ndonjë lek në shtëpi për të ndihmuar familjen. Shpesh ai del pa lekë në xhep, çka e bën edhe më të trishtë situatën në të cilën një kampion nuk duhej të ndodhej! Më poshtë ndiqni intervistën e plotë me Klevisin.