JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Grigor Joti “ua fut” të gjithëve, “kullufit” 2.2 miliard të tjera nga Mirlinda e AKSHIT
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23/04/2021 23:12

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Është ende e paqartë se cila është lidhja mes grupit INFOSOFT dhe Agjencisë Kombëtare të Informacionit, por fakt është se Grigor Joti po i merr thuajse të githë tenderat e majmë që jep Mirlinda Karçanaj. Vetëm në javët e fundit ju kemi paraqitur një numër të konsiderueshëm tenderash që ky grup ka marrë nga AKSHI. Një pjesë e mirë e tyre kanë qenë për mirëmbajtje.

Siç dihet nëpërmjet tenderave të mirëmbajtjes, është tepër e lehtë të abuzosh me paratë e shqiptarëve. Kjo pasi matja “e dukshme” është tepër e vështirë, duke e bërë më të lehtë një abuzim të mundshëm me paratë e dhëna. Në rastin më të fundit, rezulton se Grigor Joti “ka kullufitur” rreth 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-88668-03-01-2021.

Objekti i tenderit është “Mirëmbajtja e sistemit e-Receta – për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor” me fond limit 195,550,000 lekë të reja pa TVSH. Shihet qartë se edhe në këtë rast kemi të bëjmë më një tender që ka lidhje me mirëmbajtjen. Pra asgje e re nuk do të krijohet nga hiçi, por thjesht do “të dridhet zinxhiri” duke mirëmbajtur sistemin tashmë të ndërtuar.

Vihet re se ky tender shfaq disa elementë të dyshimtë përsa i përket rregullsisë së tij. Kështu vihet re se kanë marrë pjesë vetëm tre firma në garë, të cilët në mënyrë të habitshme kanë ofruar vlera mjaft të afërta me njëra-tjetrën. Në praktikat botërore të prokurimeve, një afërsi e tillë mes vlerave të ofruara nga operatorët pjesëmarrës në tender, lind dyshime të forta se fituesi është i paracaktuar.

Së dyti shikohet gjithashtu që vlera fituese e ofruar nga INFOSOFT SYSTEMS është mjaft pranë vlerës së fondit limit të tenderit. Kështu, INFOSOFT SYSTEMS ka fituar me vlerën prej 187,950,000 lekë të reja pa TVSH (ose rreth 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH). Kjo vlerë e shprehur si përqindje, del sa 96.11% e fondit limit. Edhe ky fakt lind dyshime se fituesi ka qenë i paracaktuar. Së fundmi, nuk dihet realisht se çfarë lidhje ka mes INFOSOFT dhe AKSHIT por deri tani duket se kjo marrëdhënie po ecën më së miri.