JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Erion Veliaj i jep tender firmës së ish-kryebashkiakut socialist të Vorës Agim Kajmaku
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20/04/2021 21:38

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Agim Kajmaku është një emër i cili është lakuar gjatë në media për shkak të historisë së tij mes Bashkisë Vorë dhe krimit. Ai u zgjodh kryetar i saj në 30 qershor 2019. Por nuk kaluan shumë kohë dhe Kajmaku u denoncua në media se kishte fshehur informacionet që flisnin për të kaluarën e tij penale në Greqi. Ai u akuzua se në formularin e dekriminalizimit nuk e kishte përfshirë faktin se ishte dënuar për falsifikim kartëmonedhash në shtetin fqinj.

Organet kompetente vërtetuan se gjurmët e gishtave të tij ishin të njëjta me ato të një personi të quajtur Jorgo Toto i arrestuar në Greqi. Ky fakt nuk ishte deklaruar nga Kajmaku në formularin e dekriminalizimit pas kandidimit për Partinë Socialiste si kryetar i Bashkisë Vorë, post të cilin e fitoi pas zgjedhjeve. Jo vetëm kaq por ai u shpall edhe në kërkim nga policia i akuzuar për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit si dhe për ushtrim kompetencash përtej afateve të mandatit.

Mirëpo sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, kompania e tij që “me letra” drejtohet nga e shoqja Merita Kajmaku, vazhdon të fitojë tendera. Dhe jo tendera dosido por tendera të dhënë nga vetë Bashkia Tiranë. Konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-91473-03-29-2021 dhe me objekt “Blerje Tapet Bari”. Tenderi është organizuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, një institucion në varësi direkte të Bashkisë Tiranë.

Fondi limit i tenderit është 1,666,250 lekë të reja pa TVSH ndërsa firma A.M.E 2020 e familjes Kajmaku ka fituar me vlerën e ofruar prej 1,586,270 lekësh të reja pa TVSH. Një fakt tejet interesant në këtë mes është se kemi të bëjmë me një mungesë konkurrence pasi në garë ka marrë pjesë vetëm firma e Kajmakut, pra praktikisht nuk ka patur fare garë. Gjithashtu, siç ndodh rëndom në kësi rastesh, vlera fituese është thuajse e njëjtë me vlerën e fondit limit, ose sa 95.2% e tij.