Një nga lojtarët që po bie më së shumti në sy në ndeshjet e fundit të Kombëtares së Portugalisë është Nuno Mendes. Ky i fundit është vetëm 18 vjeç, mbrojtësi ka luajtur titullar në ndeshjet e fundit në krah, duke u paraqitur mjaft mirë. Djaloshi ka rënë në sy edhe me Sportingun e Lisbonës, ku po shkëlqen këtë sezon. Ai është një nga lojtarët kryesorë të ekipit që drejtohet nga Ruben Amorim, i cili po bën një mrekulli të vërtetë, pasi është shumë pranë titullit kampion. Për djaloshin 18-vjeçar interesohet Manchester City, që sipas mediave në Angli është gati të paguajë edhe klauzolën e Nuno Mendes që është 70 milionë euro.
Mendes shihet si një nga talentet më të mëdhenj dhe City kërkon të investojë tek ai, por mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë deri në merkaton e verës, ku djaloshi Nuno Mendes do të jetë edhe i impenjuar në Europian me Portugalinë. Kujtojmë se edhe Cristiano Ronaldo në të njëjtën moshë u transferua në Premier League ku edhe spikati me talentin e tij, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të mirë në botë. Pra, mbetet për t’u parë nëse edhe djaloshi 18-vjeçar do të ketë të njëjtin sukses si bashkëkombasi i tij.