Lali Leku duket se është nga ata persona që nuk e shtrëngon fare dorën kur bëhet fjalë për paratë publike. Në rastin më të fundit rezulton se do të harxhojë plot 500 milionë lekë të vjetra me TVSH për të blerë materiale propagandistike për videot e fotot që bën për rrjetet e tij sociale apo për kronikat e gatshme që u dërgon medieve.
Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-78510-11-12-2020 dhe me objekt “Rritja e kapaciteteve të teknologjisë së informacionit e komunikimit dhe ripërtëritja e teknologjisë audiovizive”. Nëse shikon se çfarë do të blihet me kaq shumë para, thjesht të ikën “tepeleku”.
Lali planifikon të blejë materiale që i shërbejnë propagandës së tij, si mikrofona, aparatë fotografikë që filmojnë 4K, sisteme audio, kufje, stativë tripod për aparate fotografik, pajisje livestreamer me 6 kamera, lente, blice, diktofon etj.
Bashkë me to, ka shtuar edhe kompjutera, laptopë, USB, skaner etj. Në tender kanë marrë pjesë vetëm dy firma, të dyja me vlerë thuajse të njejtë oferte, çka përbën një rast të dyshimtë për vërtetësinë e tenderit sipas procedurave ndërkombëtare të prokurimeve. Me pak fjalë ka dyshime të forta se fituesi është paracaktuar. Lali Leku ka shpallur fitues firmën BNT ELECTRONICS me vlerë të ofruar rreth 500 milionë lekë të vjetra me TVSH. Shikohet gjithashtu se vlera e ofruar nga fituesi është thuajse identike me vlerën e fondit limit, ose rreth 97.85% e tij.