Arsen Lupeni me siguri do të vriste vetën pasi të dëgjonte lajmin e mëposhtëm. Do të ishte e pabesueshme për të që të mësonte se dikush në Shqipëri ia ka “futur” porsa i përket vjedhjeve. Dhe këtë nuk e ka bërë duke rrezikuar jetën si vetë hajduti i njohur, por thjesht duke përdorur tenderat.
Bëhet fjalë pikërisht për atë, pashain e Postës Shqiptare! Vetë Laert Duraj duket se nuk di se si të ndalojë mënyrën e mbushjes së xhepave. Çudia e radhës ka të bëjë me një tender që mban numrin e referencës REF-74448-10-08-2020 dhe ka për objekt “Blerje Kondicioner 18 BTU”.
Abuzimi vihet re direkt që tek pjesëmarrësit në garë. Rezulton se ka marrë pjesë “de facto” vetëm 1 kompani, e cila u shpall natyrisht edhe fituese. Me letra ka marrë pjesë edhe një kompani e dytë e cila ka ofruar vlerën zero, pra praktikisht ka hyrë sa për numër. Fitues është shpallur kompania KLIMA TEKNIKA TB2 me administrator dhe ortak të vetëm Petrit Paja.
Kjo kompani ka ofruar vlerën prej 12,902,050 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 155 milionë lekë të vjetra. Gjithashtu vihet re lehtësisht se vlera e shpallur fituese është thuajse 95.5% e vlerës së fondit limit, çka do të thotë se ka dyshime të arsyeshme për abuzim.