Një ngjarje e rëndë tronditi Vlorën mbrëmjen e sotme. Një 27-vjeçar i identifikuar si shtetasi Beniamin Bezhani, u gjet i pajetë në automjetin e tij nga një kalimtar i rastit. Ky i fundit ka lajmëruar menjëherë autoritetet, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në 'eliminimin' e të riut.
Njoftimi i policisë:
Më datë 01.12.2020, rreth orës 21:00, në Sallën Operative Vlorë ka ardhur një telefonatë nga një qytetar se në Fushë- Dukat, Orikum një automjet ka ndaluar në rrugë dhe brenda tij ka një person të pa jetë. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë konstatuar të pajetë shtetasin B. B., rreth 27 vjeç, dyshohet ka humbur jetën nga përdorimi i armës së zjarrit. Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Stacionit të Policisë Orikum kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.