Juventusi vazhdon të zhgënjejë këtë fillim sezoni në Serinë A. Skuadra e drejtuar tashmë nga Andrea Pirlo nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në javën e pestë, pasi barazoi 1-1 në shtëpi përballë Hellas Veronës. Pjesa e parë filloi mjaft mirë për Zonjën e Vjetër, që krijoi disa shanse të mira shënimi, por nuk u konkretizuan nga lojtarët.
Alvaro Morata ishte i pafat në minutën e 45-të, pasi realizoi golin, por iu anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Në pjesën e dytë, ritmi i lojës ishte edhe më i lartë, me Veronën që arriti të kalonte në epërsi. Ishte minuta e 60-të kur Andrea Favilli shënoi për miqtë me një asistim të Mattia Zaccagni. Pas golit të pësuar, Andrea Pirlo reagoi me zëvendësim, duke futur në lojë Deja Kulusevskin në vend të Federico Beranrdeschit.
Ky zëvendësim ishte mjaft i qëlluar, pasi pikërisht Kulusevski arriti që t’i barazonte shifrat 1-1 në minutën e 78-të, duke shënuar një gol të bukur. Deri në fund, kampioni në fuqi kishte edhe disa shanse të tjera shënimi me anë të suedezit dhe Paulo Dybalas, por goditjet e tyre përfunduan jashtë porte. Me barazimin e sotem, pas javës së pestë, Juventusi e sheh veten në vendin e pestë me nëntë pikë në klasifikim, ndërsa në xhiron e gjashtë do të perballen me Spezian.