Kampionatet europiane kanë përfunduar dhe tashmë është radha e Champions League. Kompeticioni më prestigjoz europian do të luhet në Portugali, pasi ky shtet cilësohet me rezikshmëri të ulët sa i përket koronavorusit dhe ndeshjet do zhvillohen me një takim.
Përballjet do luhen prej 12-23 gushtit në Lisbonë. Skuadrave do t’u jepen gjashtë ditë pushim mes çerekfinaleve dhe gjysmëfinaleve.
“DailyMail” ka zbuluar se shumë klube kanë shprehur dëshirën për t’u kthyer në shtëpi gjatë këtyre ditëve, sesa të qëdrojnë në hotele në Lisbonë. Ato do të preferonin që të përdornin fushat e tyre stërvitore dhe jo të qëndronin në një bazë të huaj gjatë dy javëve.
Megjithatë, shefat e UEFA-s preferojnë që t’i mbajnë skuadrat në të njëjtin vend gjatë turneut, për të shmangur kështu rrezikun e infektimit me Koronavirus.
Protokollet e “Final 8” të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës do të publikohen javën e ardhshme, pasi të jenë luajtur edhe duelet e mbetura të 1/8-ave që do të përcaktojnë të gjitha çiftet çerekfinaliste. Deri tani në çerekfinalet e Champions-it janë kualifikuar Atalanta, PSG, Lajpcigu dhe Atletiko e Madridit.