Trishtuese/ Nëna afgane shet dy vajzat e mitura për të ushqyer pjesën tjetër të familjes

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 24.01.2022, 01:45

Temperaturat po bien nën zero në Afganistanin perëndimor dhe një nënë e quajtur Delaram Rahmati po përpiqet të gjejë ushqim për tetë fëmijët e saj. Prej katër vitesh ajo jeton në provincën Badghis në një kasolle balte me një çati plastike, në një nga lagjet e varfra të qytetit të Heratit. Thatësira e bëri fshatin e tyre të pabanueshëm dhe tokën jo pjellore.

Ashtu si rreth 3.5 milionë afganë që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, Rahmati tani jetojnë në një lagje për personat e zhvendosur brenda vendit. Nuk ka punë, por 50-vjeçarja ka shumë tarifa të papaguara ndaj spitaleve, pasi dy djemtë i ka të sëmurë, njëri prej të cilëve është i paralizuar dhe tjetri me probleme të shëndetit mendor.

“Unë u detyrova të shes dy nga vajzat e mia, njëra tetë dhe tjetra gjashtë vjeçe, dhe tashmë edhe veshkën time”- thotë ajo. Rahmati thotë se ajo i shiti vajzat e saj disa muaj më parë për 100,000 afganë secila (rreth 700 £), familjeve që nuk i njeh. Vajzat e saj do të qëndrojnë me të derisa të arrijnë pubertetin dhe më pas do t'u dorëzohen të huajve.

Nuk është gjë e pazakontë në Afganistan që të bëhet shitja e një vajze për një martesë të ardhshme, por të rritet në shtëpi derisa të vijë koha që ajo të largohet. Megjithatë, ndërsa kriza ekonomike në vend thellohet gjithnjë e më shumë, familjet po raportojnë se po i shesin fëmijët në një moshë gjithnjë e më të re, sepse nuk kanë mundësi t'i ushqejnë.

Afganistani është në prag të “një krize humanitare dhe kolapsi ekonomik”, sipas OKB-së. Ambasadori i agjencisë në Afganistan ka thënë se vendi "po përjeton krizën më të keqe humanitare të historisë së tij bashkëkohore". Thatësira, Covid-19 dhe sanksionet ekonomike të vendosura pasi talebanët morën pushtetin në gusht 2021 kanë pasur pasoja katastrofike në ekonomi.

Burimi: The Guardian | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit