Zbardhet ngjarja në Shkodër: Pasi u bë “tapë”, 31-vjeçari u kthye duke qëlluar me armë zjarri në lokal

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 22.01.2022, 19:33

Është zbardhur ngjarja e mbrëmshme në Shkodër, ku një i ri terrorizoi qytetarët duke shtënë me armë drejt një lokali të qytetit. Policia njofton se shtetasi K.K ka qenë në lokal duke konsumuar alkool dhe pasi është larguar, ai është rikthyer përsëri duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Skënderbeg”, ku shtetasi K. K. qëlloi me armë zjarri, për motive të dobëta, drejt një lokali. Falë veprimeve të shpejta e profesionale të kryera nga Forca e Posaçme Operacionale e DVP Shkodër u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar. Vihet në pranga 31-vjeçari, autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Shkodër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit K. K., 31 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”, Shkodër. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Shtetasi K. K., pasi ka konsumuar alkool në lokal, është larguar dhe më pas është kthyer përsëri dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit, duke vënë në rrezik jetën e klientëve të tjerë në lokal. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit