Mbani frymën/ Asteroidi 1 kilometër i gjatë do të kalojë pranë Tokës pas dy javësh

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.01.2022, 18:41

Më 18 janar, asteroidi me gurë (7482) 1994 PC1 do të fluturojë i sigurt pranë Tokës. Objekti 1 kilometër (0,6 milje) i gjatë është potencialisht i rrezikshëm, pasi i afrohet planetit tonë dhe është mjaft i madh për të shkaktuar shkatërrim të pabesueshëm nëse godet. Për fat të mirë, guri i stërmadh do të kalojë në një distancë pesë herë më larg se Hëna – më shumë se 1.98 milionë kilometra (1.23 milionë milje) nga toka.

Ky kalim është më i afërti për të paktën 172 vitet e ardhshme, kështu që, pavarësisht potencialit të tij për të qenë i rrezikshëm, mund të jemi të sigurt se ky shkëmb hapësinor nuk do të godasë planetin tonë së shpejti. Kalimi tjetër i afërt nën 5 milionë kilometra (3 milionë milje) do të jetë gjithashtu më 18 janar, por në 2105, dhe ai pas tij do të jetë më 20 janar 2194. Në të dyja rastet, asteroidi do të kalojë shumë më larg se ky që do shfaqet pas dy javësh.

Asteroidi u zbulua zyrtarisht në 1994 nga Robert McNaught në Observatorin Siding Spring në Coonabarabran, Australi. Megjithatë, vëzhgimet e tij shtrihen në të vërtetë njëzet vjet më parë, deri në shtator 1974. Ky hark i gjatë vëzhgimesh i ka lejuar astronomët të masin orbitën e tij me shumë saktësi. Pasiguria në kalimin e tij të ngushtë është më pak se 150 kilometra (93 milje).

Asteroidi (7482) 1994 PC1 klasifikohet si një lloj S-i – i pasur me material silicor, zakonisht mesatarisht i ndritshëm, i përbërë shpesh nga hekur dhe magnez-silikate – ata janë lloji i dytë më i zakonshëm i asteroidit pas tipit C të karbonit.

Nëse jeni të interesuar të vëzhgoni këtë shkëmb hapësinor që kalon qiellin, do t'ju duhet një teleskop i mirë pasi syri i lirë apo edhe dylbtë nuk do të jenë në gjendje ta shikojnë atë.

Burimi: IFLSCIENCE | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit