JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

SHBA ofronte 5 milionë $ për kapjen e tij, arrestohet trafikanti më i madh i drogës në Kolumbi
Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 24/10/2021 20:18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Trafikanti më i kërkuar i drogës në Kolumbi dhe udhëheqësi i bandës më të madhe kriminale në këtë shtet është arrestuar. Bëhet fjalë për Dairo Antonio Úsuga, i njohur si Otoniel. Ai u kap të shtunën gjatë një operacioni të përbashkët të ushtrisë, forcave ajrore dhe policisë. Qeveria kishte ofruar 800,000 dollarë shpërblim për informacionet rreth vendndodhjes së tij, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kishin ofruar pesë milionë dollarë për kokën e tij.

Presidenti kolumbian Iván Duque krahasoi arrestimin e Usuga të shtunën me kapjen e Pablo Escobar tre dekada më parë. Escobar, i njohur si "Kumbari", dikur ishte "koka" botës së drogës me tentakulat që arrinin në mbarë globin. Presidenti Iván Duque gjithashtu përmes një mesazhi televiziv lavdëroi autoritetet për kapjen e Otonielit. “Kjo është goditja më e madhe kundër trafikimit të drogës në shtetin tonë në këtë shekull. Kjo goditje mund të krahasohet vetëm me rënien e Pablo Escobarit në vitet e 90-ta”, tha ai.

"Otoniel ishte trafikuesi më i frikshëm i drogës në botë, vrasësi i policisë, i ushtarëve, i liderëve socialë dhe rekrutuesi i fëmijëve. Kjo goditje është e krahasueshme vetëm me rënien e Pablo Escobar në vitet 1990"- shtoi Duque gjatë një video-mesazhi të transmetuar. Otoniel u kap në provincën Antioquia në veriperëndim të Kolumbisë, që gjendet pranë kufirit me Panamanë.

Ai kishte përdorur një rrjet të shtëpive të sigurta për të lëvizur dhe për të shmangur arrestimin. Sipas autoriteteve, ai nuk kishte përdorur telefon celular, por kishte përdorur korrierët e tij për të komunikuar. Megjithatë, sipas gazetës El Tiempo, vendndodhja e tij u zbulua rreth dy javë më parë. Në operacionin për kapjen e tij u përfshinë 500 ushtarë, të mbështetur nga 22 helikopterë. Një zyrtar policor u vra gjatë këtij operacioni.

Burimi: | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania