JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

KESH bleu energji 6 herë më shtrenjtë 6.4 MLN €! Oligarkët që hëngrën MILIARDAT e Energjisë| EMRAT
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 19/10/2021 20:29

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Me datë 17 Tetor u shënua dita e fundit e ankandit online të shpallur nga OSHEE për blerjen e energjisë për periudhën 13-17 Tetor, një ankand i ndarë në tre pjesë që kapi vlerën rreth 6.4 MLN € energji. Furnizuesi i Tregut të Lirë SH.A, pjesë e OSHEE, nuk arriti të siguronte sasinë e kërkuar të energjisë për këto data, por vetëm 24,920 Mwh nga 44.400 Mwh. Çmimi mesatar kapi 255.79 Euro/ Mwh, në ankandin ku morën pjesë 10 shoqëri të huaja, 6 herë më shtrenjtë se vitin e kaluar. Në një deklaratë për mediat, ministrja e Ramës për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ikonomi deklaroi se vendi ynë prodhon 4-6 terravat energji, ndërsa vendit i duhen 6-7 terravat. Bukur shumë deri këtu! Tani sipas të dhënave, ky vit ishte me prodhim të bollshëm energjitik për Shqipërinë dhe rezulton se Shqipëria eksportoi 4 herë më shumë energji 6 mujorin e parë në krahasim me vitin e kaluar, favorizuar nga kushtet e mira klimaterike, por KESH nuk vuri punët para dhe nuk e parashikoi “thatësirën” e gushtit, duke detyruar OSHEE që në pjesën e mbetur të vitit të blejë energji për të mbuluar nevojat e konsumatorëve.

EDI RAMA, BENET BECI

Pyetja që bie në këtë çështje është: A është “kriza botërore” një kamuflim për të mbuluar korrupsionin me tenderat e KESH?!

“Në periudhën 2018-2021, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka shitur rreth 4 Terra Vat energji elektrike në tregun e parregulluar duke arkëtuar plot 200 milionë euro. Këto janë të ardhura shtesë, veç të ardhurave të garantuara për mbulimin e kostove të operimit, mirëmbajtjes dhe investimeve në Kaskadë. Pse? Çdo vit KESH shet 3.9 terra vat energji tek OSHEE për të furnizuar familjet dhe biznesin. Mbi këtë sasi, Ministria e Energjisë i përcakton KESH një çmim shitje të tillë, i cili garanton të ardhurat e nevojshme për të mbuluar plotësisht kostot e operimit të Kaskadës, por edhe investimet në HEC-e. Aktualisht ky çmim është 1.5 lekë për kilovat dhe i siguron KESH-it 6 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro të ardhura në vit. Pra për ta thënë shkurt, KESH ka nevojë për 50 milionë euro në vit që të operojë Kaskadën e Drinit si dhe të financojë investimet për të cilat ajo ka nevojë. Por arkëton mesatarisht dyfishin e kësaj shume ose 100 milionë euro në vit. Pyetja tani shtrohet, ku kanë shkuar 200 milionë eurot shtesë që KESH arkëtoi në katër vitet e fundit? Përgjigja është një; në tendera. Shpesh në tendera të çuditshëm, që nuk kanë lidhje as me sigurinë e furnizimit të vendit me energji, as me rritjen e efficencës në prodhimin e energjisë. Vetëm këtë vit ka dy shembuj ulëritës, të cilat tregojnë qartë se sa babëzisht menaxhohet Korporata Elektroenergjetike.”-shkruan gazetari Klodian Tomorri.

Në total KESH ka shpenzuar 58 MLD Lekë në 149 tendera të shpallur me fitues dhe këto para i janë shpërndarë 108 kompanive, ku mes tyre oligarkë të njohur e të fuqishëm. Ndër ta, JOQ ALBANIA ka marrë në shqyrtim disa prej tenderave me vlerën më të lartë, ku gjysma e atyre të shpallur janë klasifikuar me FLAMUR TË KUQ për “Mungesë Konkurrence”, “Skualifikim i të Gjithë Operatorëve Konkurrues” etj.

52 tendera të KESH, kur drejtues i tij ka qenë Benet Beci, procedura prokurimi me vlera të frikshme, janë shënuar me shkelje. Në këtë kategori gjenden disa prej oligarkëve më të favorizuar në fushën e tenderimeve publike të cilët kanë përfituar nga paratë e popullit me ndihmën e titullarit në krye të institucionit shtetëror.


Nëse doni përgjigjen e pyetjes të ilustruar me foto, ju ftojmë të shqyrtoni tenderat e mëposhtëm dhe OLIGARKËT përkatës fitues në këto tendera me FLAMUJ TË KUQ të KESH:

Tenderat e oligarkëve përfitues të shëndetësisë që keni marrë në shqyrtim do i ndajmë në dy grupe. Në grupin e parë kemi përfshirë oligarkët e vetëm, që kanë përfituar tendera në vlera të majme, ndërsa në grupin e dytë, oligarkët që kanë bashkëpunuar mes tyre duke marrë pjesë si bashkim kompanish në procedurat e tenderimeve publike.

GRUPI I PARË

  1. “Punime për mbrojtjen e shpatullës së djathtë mes veprës së marrjes dhe kreshtës së digës në HEC Koman”, Vlera Fituese 5.2 MLD Lekë- SALILLARI (Pëllumb Salillari)
  2. “Punime mbrojtëse tek krahu i majtë i kanalit të daljes nga ndërtesa e centralit deri tek ura si dhe veshja me beton e faqeve anësore të kanalit në Hec Koman”, Vlera Fituese 2.2 MLD Lekë-ALBSTAR (Sadik, Idajet Ismailaj)
  3. “Furnizim pjesë rezervë për sistemet e rregullimit AVR, transformator fuqie 5600 KVA dhe instalim i tij, riparim i defekteve dhe kthimi në gjendje normale pune për 5 (pesë) setet DGA të monitorimit on-line të gazeve ne HEC Vau Dejës, HEC Fierzë”, Vlera Fituese 1.9 MLD- LA-OR (Laert Duro)
  4. “Evadimi i Materialeve të Ngurta në zonën poshtë Urës së Drinit deri tek bashkimi me Lumin E Valbonës në Hec Fierzë”, Vlera Fituese 1.4 MLD- S.M.O.UNION SHPK (Xhevat Vataksi)
  5. “Riparimi i automjeteve të KESH sh.a, për një periudhë tre vjeçare”, Vlera Fituese 1.3 MLD Lekë- ALSTEZO (Albert Zogo)
  6. "Furnizim-vendosje sistem AVR në HEC Fierzë dhe upgrade i firmware-it të 4 seteve të monitorimit on-line BMT të transformatorëve të fuqisë në HEC Koman", Vlera Fituese 1.3 MLD Lekë- SHANSI INVEST (Shpëtim Cinga)
  7. “Rehabilitimi i ndërtesës së Centrali HEC Koman”, Vlera Fituese 1.2 MLD Lekë- CURRI (Faik Curri)

GRUPI I DYTË

  1. "Mbrojtja e kullave të ekuilibrit nga çarja e shkëmbinjve mbi to. Mbrojtja dhe sistemimi nga rrëshqitja e koluvioneve në HEC Koman", Vlera Fituese 3.2 MLD Lekë- SMO VATAKSI SHPK dhe SMO UNION SHPK ( Të dyja në zotërim të Xhevat Vataksit)
  2. “Blerje dhe instalim i një transformator fuqie 170 MVA,242/13.8 KV për HEC Koman përfshirë pjesët rezervë, ri-instalim dhe komisionimin e sistemit ekzistues të mbrojtjes kundër zjarrit të transformatorit si dhe sistemit ekzistues të monitorimit DGA&BMT”, Vlera Fituese 2.4 MLD Lekë- LAOR (Laert Duro) dhe Shansi Invest (Shpëtim Cinga)
  3. “Blerje pajisje elektrike, elektronike dhe pjesë mekanike matëse e kontrolluese për Njësinë e Prodhimit HEC Koman”, Vlera Fituese 1.1 MLD Lekë- “R&T” sh.p.k (Renis Tërshana) dhe “DIVITECH” sh.p.k (Vivien Budo)

Kompanitë e sigurimeve bëhen grup dhe fitojnë 1 tender me vlerë totale rreth 1.2 MLD LEKË PA TVSH

  1. “SIGURIMI I ASETEVE (DIGA, NDËRTESA, TUNELE) PËR VITIN 2018", Vlera Fituese 1.2 MLD- Eurosig sh.a -Sigal Uniqa Group Austria sh.a -Sigma Interalbania sh.a

EUROSIG SH.AKadri Morinaj

SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA- Avni Ponari

SIGMA INTERALBANIA sha- Qemal Disha


PËLLUMB SALILLARI

5.2 Miliard Lekë pa TVSH për 5 muaj kontratë, një nga tenderat më të majmë të KESH, i shënuar me REDFLAG për skualifikim të të gjithë operatorëve konkurrues, për shkak të një kapaciteti teknik të specifikuar nga AK. Salillari është një prej oligarkëve më të mëdhenj në vend, përfitues i parave publike në të gjithë sektorët dhe një nga preferuarit e Erion Veliajt në tenderat e ndërtimit.


SADIK ISMAILAJ

2.2 MLD Lekë pa TVSH për ALB-STAR e Sadik dhe Xhevdet Ismailaj. Tenderi i fituar nga vëllezërit oligarkë ka skualifikuar 6 kompani të tjera në garë, gjë që tregon influencën dhe pushtetin që kanë mbi Benet Becin, i cili ka hartuar një tender me kritere aq specifike për klientët e tij, sa të bën të duket i rregullt dhe respektues i konkurrencës në parim. Mbase këta dy persona mund t’ju duken emra të panjohur për shkakun se kanë patur gjithnjë një low profile në media, por për vëllezërit Ismailaj, do ju njohim më tej në artikujt tanë në vijim.


LAERT DURO

1.9 MLD Lekë pa TVSH për Laert Duron, në një procedurë të hapur pa konkurrentë. Favorizim hashiqare i një prej kontraktuesve më të mëdhenj të pushtetit lokal. Duro është një emër i njohur në fushën e ndërtimit, por jo vetëm.


XHEVAT VATAKSI

1.4 MLD lekë për SMO e Xhevat Vataksit, Ferand Nuhas dhe Mehdi Shabanit. Zotëruesi kryesor i SMO UNION, Xhevat Vataksi, një emër jo pak i njohur në fushën e ndërtimit dhe jo vetëm është po ashtu emër i njohur edhe fushën e kronikës së zezë. Këtij biznesmeni i ka dalë emri për një konflikt për motive pronësie që për pak sa nuk i ka kushtuar jetën. Ai u qëllua me 4 plumba pistolete pas sherrit me 43-vjeçarin Artur Lini, i cili është pronar i një lokali në Bërdicë. Vataksi mori katër plumba në gjymtyrët e poshtme të trupit, teksa u mësua se sherri u bë pasi firma e ndërtimit në pronësi të VATAKSIT ishte kontraktuar për rikonstruksionin e lotit të parë në aksin Shkodër-Velipojë. Me zhvatjet që i ka bërë biznesmeni shkodran Buxhetit të Shtetit do ju njohim në vijim.

HISTORIA E PLAGOSJES

Konkretisht, 60-vjeçari Vataksi ka pjesën nga Bërdica deri në fshatin Trush. Kjo është një pjesë rruge, e cila nga ajo e vjetra sipas projektit do të devijohet për të shkurtuar distancën. Edhe më përpara banorët e kësaj zone kanë pasur debate të ndryshme. Disa pretendojnë të marrin shpronësime, sepse rruga e Velipojës në atë pjesë duhet të kalojë në tokat e tyre, ndërsa disa të tjerë kërkojnë një ndryshim të projektit pikërisht për të mos prekur pasuritë që kanë. Autori i dyshuar, Artur Lini përveç një lokali që ka në Bërdicë, dyshohet se ka edhe një pjesë të tokës ku duhet të kalojë rruga e re e Velipojës. I plagosuri dhe autori i dyshuar sipas burimeve kanë debatuar mes tyre, sherr ky që ka përfunduar më pas me plagosjen e Xhevat Vataksit. Sipas burimeve të mësipërme, në momentin e ngjarjes, Artur Lini dhe biznesmeni Xhevat Vataksi kanë qenë vetëm me njëri-tjetrin. Kur kanë debatuar, nuk ka pasur persona të tjerë aty pranë. Nga ana tjetër, firma e nënkontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që ka në zbatim pjesën Bërdicë-Trush u ka bërë me dije banorëve se nuk mund të devijojnë projektin e përcaktuar dhe se shpronësimet duhet që t’i bëjë qeveria shqiptare.


SHPËTIM CINGA

1.3 MLD Lekë pa TVSH për SHANSI INVEST e Shpëtim Cingës, një prej oligarkëve më të lakuar në media për abuzime me paratë publike. Zotëruesi i kësaj kompanie, njihet për përfitimin e tenderave publikë pa garë, në mungesë konkurrence dhe kryesisht ato të Energjisë, në institucionet e lidhura me të si OST. Cinga është zotërues i dy kompanive të fuqishme nëpërmjet të cilave thith para publike pa i bërë syri “Xing”. Nuk dihet cili politikan fshihet pas këtij biznesmeni që ia jep thelat e Buxhetit Publik në pjatë.


FAIK CURRI

1.2 MLD pa TVSH për Faik Currin e CURRI SHPK, një ndër kontraktuesit më të mëdhenj të bashkive për tenderat e ndërtimit. Curri është një ndër më të njohurit në këtë sektor pasi ka mik shumë të fortë dhe është një viktimizues i paparë. Në tenderat që ai fiton, të cilët nuk ndodh kurrsesi në shumicë që të jenë nën 500 MLN, i fiton me shkelje, duke bërë që Autoriteti Kontraktor të skualifikojë çdo konkurrent që merr pjesë në tender me të. Pak kohë më parë në një dëgjesë publike, ai mori mikrofonin në dorë dhe nisi t’i ankohej Ramës përballë se Komisioni i Prokurimeve Publike kishte skualifikuar padrejtësisht një prej kompanive të tij nga gara në një procedurë tenderimi publik. Që nga ajo kohë, Curri ka përfituar një grusht tenderash të majmë dhe nuk e sulmon më Ramën, pasi shukat e parave i kanë mbyllur gojën. Për aferat e Currit me pushtetin do të shkruajmë më shumë në artikujt tanë në vijim.


3.2 MLD ka përfituar Xhevat Vataksi në një tender ku ka marrë pjesë me të dyja kompanitë e tij SMO VATAKSI dhe SMO UNION. Ai ka konkurruar përballë kompanive të nipit të Sadri Abazit, dhe e ka skualifikuar duke e ngjyrosur tenderin TË KUQ ashtu si thuajse të gjithë tenderat ku është shpallur fitues. Bazuar në disa prej analizave bazike të tenderave më të kripur të sektorit të Energjisë, Xhevat Vataksi dhe ortakët e tij Fernand Nuha dhe Mehdi Shabani, mbajnë vendin e parë si përfituesit më të shpeshtë të procedurave publike të dhëna nga Bencet Beci. Për ortakët përfitues të miliardave të popullit, do të hulumtojmë në vijim, në mënyrë që të bëjmë publike për lexuesit, aferat klienteliste oligarkë-qeveri.


2.4 MLD në një tender me një diferencë të papërfillshme Ofertë Ekonomike-Fond Limit për Laert Duron dhe Shpëtim Cingën, shokun e Adrian Çelës. Tenderi i dhënë në shkelje për Mungesë Konkurrence, është paramenduar të ndahet mes dy biznesmenëve të favorizuar të Becit. Përpos atyre në të cilët janë shpallur fitues të vetëm, kanë përfituar edhe në bashkëpunim para publike në shkelje të Ligjit të Prokurimeve Publike.


RENIS TËRSHANA | VIVIEN BUDO

1.1 MLD Lekë pa TVSH për “R&T” sh.p.k -“DIVITECH” sh.p.k të Renis Tërshanës, pronarit të një sërë biznesesh dhe Vivien Budos të DIVITECH. Tërshana është emër i njohur në vend jo vetëm sepse është aksioneri kryesor i bankës Credins por edhe për faktin sepse është një nga kontraktorët më të mëdhenj të Erion Veliajt, përsa i përket Budos është kontraktor i shoqërive me kapital shtetëror si Posta Shqiptare, jë nga klientët e preferuar të Laert Durajt.


QEMAL DISHA (SIGMA) | AVNI PONARI (SIGAL) | KADRI MORINA (EUROSIG)

Nga tenderat e KESH kanë përfituar edhe kompanitë e sigurimit. Bëhet fjalë për një bashkim të frytshëm 1.2 MLD por në shkelje në parim me ligjshmërinë pasi është përfituar në Mungesë Konkurrence. Kadri Morina i Eurosig sh.a në bashkëpunim me Sigal Uniqa Group Austria sh.a të Avni Ponarit dhe Sigma Interalbania sh.a të Qemal Dishës, disa herë bashkuar me njëra-tjetrën kanë përfituar miliarda nga sektori i Energjisë.

Nëse keni ende dyshime se kujt i kanë shkuar MILIARDAT e sektorit të Energjisë, rilexoni këtë artikull dhe bëjini llogaritë vetë, derisa shteti të na e shesë si krizë ndërkombëtare, të paktën jeni të informuar dhe s’jua servir dot njeri sapunin për djathtë. KLSH do hapë ndonjë sy në lidhje me këtë skandal? Se SPAKU del edhe publikisht që ha në një pjatë me Rilindjen...!