Është zbardhur dinamika e plotë e krimit tronditës në Divjakë, ku 58-vjeçari Hekuran Rrasa vrau bashkëshorten e tij Fëllënxa Rrasa dhe më pas veten. Policia dyshon se ky është një krim i paramenduar dhe nuk ka ardhur si pasojë e një konflikti të rastit. Shkak për këtë është fakti se pak para krimit, Hekurani e ka larguar nga banesa djalin e vetëm që kishin, duke i thënë të shkonte të pinte kafe si dhe t’i blinte një paketë cigare. Më pas ai ka marrë bashkëshorten dhe e ka dërguar në dhomën e gjumit, ku edhe e ka vrarë me armë gjahu. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga policia, dyshohet se ka patur një konfrontim mes tyre pasi rrobat e gruas janë gjetur të grisura. Ai e ka qëlluar gruan në pjesën e fytyrës dhe pak më pas është dëgjuar një krismë tjetër pasi ka qëlluar për vdekje edhe veten. Trupat e pajetë u gjetën nga djali, i cili është lajmëruar nga të afërmit pasi ishte larguar. Në vendgjarje u gjet edhe arma e krimit pranë trupit të Hekuran Rrasës, të cilën e mbante prej disa vitesh, por që askush nuk kishte patur dijeni, madje as djali i çiftit, Leonardi.