Ditën e sotme peshkatarët durrsakë kanë kapur një peshkaqen të madh në thellësi të Adriatikut, përballë grykëderdhjes së lumit Buna. Ndërkohë, kapiteni Kapllan Rama ka thënë për Ora News se peshkaqeni peshon 650 kg dhe ka një gjatësi prej 6,5 metrash. Raportohet se ai u kap nga anija “Gerardo”, në një thellësi prej 155 metrash nën ujë.
Kapiteni i anijes ka rrëfyer momentin e kapjes së peshkaqenit gjigant nga peshkatarët. Ai thotë se peshkaqeni po tentonte të shqyente rrjetën dhe se është i pesti peshkaqen që kanë kapur dhe më i rrezikshmi.
“Është i pesti, por ky është me i rrezikshmi. Pasi ngritëm tratat me vinç pamë peshkaqenin që po tentonte të shqyente rrjetën. Me kujdesin më të madh e hodhëm në kuverte këtë përbindësh deti. Pasi e ngritëm në vinç konstatuam se ishte rreth 6.5 m i gjatë dhe se peshonte rreth 650 kg"-u shpreh kapiteni.