Ditë e re, nafakë e re, thotë populli. Ndoshta në kohët që jetojmë kjo shprehje duhet modifikuar disi dhe të bëhet: “Ditë e re, tender i dyshimtë i ri”. Themi kështu pasi një tjetër tender i çuditshëm dhe i dyshimtë rezulton të jetë dhënë në Shqipëri. Kësaj rradhe behët fjalë për qytetin e Fierit dhe bashkinë e tij të drejtuar nga Armando Subashi.
Le të shohim se çfarë ka ndodhur. Bashkia Fier ka organizuar një tender me objekt “Shërbimi i pastrimit dhe largimit të mbeturinave (mbetjeve urbane) në Njësitë Administrative dhe kryerja e shërbimit të mirëmbajtjes së varrezave publike në Njësitë Administrative të Bashkisë Fier”. Tenderi në fjalë mban numrin e referencës REF-97322-06-03-2021 dhe ka si fond limit shifrën prej 198,984,172 lëkësh të reja pa TVSH ose rreth 2.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Në këtë tender shikohet se kanë marrë pjesë në garë vetëm tre firma. Pra kemi deri diku një numër të ulët pjesëmarrësish. Mirëpo nëse shikojme vlerat e ofruara nga këto firma rezulton se fituese është shpallur një firmë që ka ofruar gati 450 milionë lekë të vjetra me TVSH më shumë se një tjetër firmë pjesëmarrëse. Ky fakt është tepër i dyshimtë pasi një diferencë e tillë është tepër e madhe dhe sinjalizon se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.
Këtë e përforëcon edhe fakti se raporti mes vlerës fituese dhe fondit limit është thuajse 1, pra fituesi e ka fituar tenderin me një vlerë gati 100% të fondit limit (99% për të qenë më të saktë). Por cili është fituesi? Rezulton te jëtë firma “KOMBI INVEST” në pronësi të Kreshnik dhe Ulis Gjata. Kjo firmë ka ofruar vlerën 197,168,192 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH.