Shëndetësia dhe Ogerta Manastirliu nuk kishin natyrisht se si t’i mungonin listës së gjatë të personazheve që organizojnë tendera të cilët sipas analizimit rezultojnë të jenë të paktën të dyshimtë. Siç dihet prej kohësh, mjekësia është veza e artë që “pjell” florinj por jo për popullin që ka nevojë, por për xhepat e pushtetarëve. Një tender i tillë ka shumë mundësi që të jetë edhe ky që do ju paraqesim në vijim.
Bëhet fjalë për Drejtorinë e Spitalit Rajonal Shkodër e cila ka organizuar një tender me numër reference REF-98827-06-23-2021 dhe me fond limit 9,775,000 lekë të reja pa TVSH. Objekti i procedurës është “F. V sistemi i endoskopisë digjestive pranë Spitalit Rajonal Shkodër”. Por në këtë tender, pas hulumtimit të dokumentacionit del një “problem”. Rezulton se në të nuk ka marrë pjesë asnjë firmë tjetër përveçse fituesit.
E thënë shqip, tenderi nuk ka patur fare garë. Madje jo vetëm kaq por shihet se vlera e shpallur fituese është 9,770,000 lekë të reja me TVSH ose rreth 120 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nëse bëjmë një krahasim mes vlerës fituese dhe fondit limit vihet re se diferenca mes tyre është vetëm 50 mijë lekë të vjetra. E shprehur në përqindje, vlera fituese është sa 99.9% e vlerës limit. Këto raporte ngrenë dyshime të forta përsa i përket kësaj procedure, pasi ka jo pak gjasa që fituesi të ketë qenë i paracaktuar. A do ta hetojë SPAK vallë edhe ministren Manastirliu, për këtë tender me mungesë konkurrence dhe me vlerë fituese thuajse 100% të fondit limit?