Një skandal i vërtetë ky që do t’ju paraqesim në vijim. Nëse e mbani mend, disa ditë më parë, vetë ministrja Balluku e shoqëruar nga drejtori i ARRSH-së Ergys Verdho inspektuan një pjesë të aksit Vlorë-Orikum ku një pjesë e rrugës qe dëmtuar. Ky dëmtim nuk qe për shkaqe natyrore, por sepse disa qytetarë kishin abuzuar duke ndërtuar parking poshtë rrugës, gjë që kishte sjellë edhe dëmtimin e rrugës.
Mirëpo në vend që ARRSH të merrte masa dhe të parandalonte në kohë dëmtimin e rrugës nga këta abuzues, në fakt nuk e vuri fare ujin në zjarr. Në momentin që problemi u shfaq para të gjithëve sepse rruga u dëmtua, atëherë thanë se e kishin dërguar abuzuesin në prokurori. E bukura qëndron se nëse do të kishin marrë masa për të mos e lejuar qytetarin të abuzonte me parkimin, nuk do të qe prishur rruga dhe as nuk do të nevojitej të hapej një tender për ta rregulluar.
Natyrisht parandalimi nuk ndodhi dhe tani ARRSH e Ergys Verdhos ka vendosur të paguajë rreth 900 milionë lekë të vjetra me TVSH për rregullimin e diçkaje që mund të parandalonte. Këto para rezulton se do të futen në xhepat e Paqsor Buzit të kompanisë GPG. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-96659-05-27-2021 dhe me objekt “Stabilizimi i qëndrueshmërisë të trupit të rrugës në aksin rrugor Vlorë – Orikum (zona Jonufër – Nimfa)” me fond limit 71,922,762 lekë të reja pa TVSH.
Përveçse sa më sipër, shikohet qartë se edhe vetë tenderi ka parregullsi që të shpien në dyshime për paracaktimin e fituesit. Kështu shikohet se për çudi të treja firmat që kanë marrë pjesë në garë, kanë ofruar shifra thuajse të njëjta me diferenca pothuajse qesharake nga njëra-tjetra. Ky fakt sipas praktikës ndërkombëtare të procedurave të prokurimit sinjalizon se mund të kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar. Nga ana tjetër shikohet se procedura e tenderit ka qenë me negocim, pa njoftim. Së fundmi shikohet se vlera fituese është thuajse e njëjtë me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 99.7% e tij. Të gjitha sa më sipër ngrenë dyshime se fituesi mund të jetë i paracaktuar dhe se ARRSH i ka “dhuruar” Paqsor Buzit plot 900 milionë lekë të vjetra me TVSH për diçka që mund ta parandalonte. Jepi “Gysi”!