JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Pas skandalit me databasat Mirlinda e AKSHIT nuk ndalet, 750 milionë tender Grigor Jotit të INFOSOFT
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16/04/2021 21:41

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ditët e fundit e gjithë Tirana “zjen” për shkak të një rrjedhje të pabesueshme të dhënash personale për mbi 910 mijë banorë të kryeqytetit. Kjo ngjarje është pa dyshim një ndër skandalet më të mëdha të Shqipërisë përsa i përket rrjedhjes së të dhënave personale të një numri kaq të madh qytetarësh. Ndoshta nuk e dini, por Shqipëria ka edhe një komisioner për mbrojtjen e tyre, i cili me sa shihet është i vetmi që nuk e ka vënë “ujin në zjarr”.

Përkundrazi siç ju pasqyruam edhe para disa ditësh, “u ngushëllua” duke bërë një tender për blerjen e dy automjeteve prodhim të vitit 2018. Mirëpo përtej kësaj, duket se askush nuk po e vret mendjen për këtë problem i cili në kohët dixhitale në të cilat jetojmë, është padyshim njëri ndër problemet më të rëndësishme. Vetë AKSHI, institucioni kryesor në Shqipëri i cili ka akses në të gjitha të dhënat e çdo qytetari, duket se nuk ka bërë asnjë përpjekje (të paktën të pasqyruar mediatikisht) për të parë se si ka mundësi të ndodhë një katastrofë e tillë. Madje jo vetëm që nuk “po e vret mendjen” por ky institucin vazhdon të organizojë tendera në shifra marramendëse.

Në rastin më të fundit rezulton se janë dhënë gati 750 milionë lekë të vjetra me TVSH ndaj Grigor Jotit dhe kompanive të lidhura me të, INFOSOFT dhe IKUB INFO. Këto para janë dhënë pa asnjë konkurrencë apo garë. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-86771-02-11-2021 dhe me objekt “Mirëmbajtja e sistemit të integruar të bashkëqeverisjes dhe sistemit elektronik të investimeve të huaja – për Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje”. Siç dihet tenderat që kanë të bëjnë me mirëmbajtje janë potencialisht të dyshimtë në kuptimin që me ato është më e lehtë të abuzohet. Përveç kësaj, problemi i mungesës së konkurrencës është një këmbanë alarmi që ngre dyshime se fituesi mund të jetë i paracaktuar. Së fundmi shikohet se gjithashtu vlera fituese prej 61,805,376 lekësh të reja pa TVSH (ose rreth 750 milionë lekë të vjetra) është thuajse identike me vlerën e fondit limit, përkatësisht sa 94% e tij.