Tenderat e pastrimit janë një “art” më vete përsa i përket mënyrës se si operohet me to për të përfituara para në kurriz të qytetarëve. Sidomos kur bëhet fjalë për pastrimin e kryeqytetit, vlerat janë natyrisht shumë më të larta. Tirana rezulton e ndarë në disa zona pastrimi, siç duket për të kënaqur disa oligarkë njëkohësisht. Duket se rradha tashmë i ka ardhur zonës Tirana 2, ku fitues është shpallur firma që ka ofruar një vlerë thuajse të njëjtë me vlerën e fondit limit të tenderit.
Bëhet fjalë për firmën KORSEL në pronësi të Maksim Fejzulla-ut, e cila është klasifikuar si fituese për vlerën 33,313,746 lekë të reja pa TVSH (ose rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH). Në tender kanë marrë pjesë vetëm dy firma, fituesja KORSEL dhe i kudondodhuri FUSHA me vlerë thuajse identike, përkatësisht 33,553,172 lekë të reja pa TVSH. Shikohet qartësisht se diferenca mes dy garuesëve është qesharake, përkatësisht vetëm 239,426 lekë të reja.
Në praktikën e tenderave ky rast, pra kur ofruesit ofrojnë vlera të ngjashme, klasifikohet si tepër i dyshimtë. Kjo për faktin se dyshohet se fituesi ka qenë i paracaktuar dhe se dy frmat kanë bërë marrëveshje së bashku. Në fakt shikohet se “humbësi” FUSHA, në fakt është shpallur fitues në një zonë tjetër pastrimi të Tiranës. Përtej kësaj, shikohet se vlera fituese është gjithashtu thuajse e njëjtë edhe me vetë fondin limit të tenderit. Më konkretisht, sa 99% e tij. Të gjitha këto fakte ngrenë dyshime se fituesi me shumë mundësi ka qenë i paracaktuar.