Skerdi Drenova është administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, shkurt OST. Ky institucion së bashku me institucionin homolog në Kosovë, kanë themeluar në datë 05.10.2020 të ashtuquajturën Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike – ALPEX.
Kjo e fundit është një shoqëri aksionare me pronar kryesor në masën 57.25% të aksioneve, OST e drejtuar nga Skerdi Drenova. Rezulton se Skerdi ka organizuar një tender në vlerë mjaftë të majmë me objekt “Platfoma Elektronike e Tregtimit për Tregun e Ditës në Avancë dhe atë Brenda Ditës, Infrastruktura dhe Shërbimet e Kërkuara për Operimin e Tregut të Organizuar në Shqipëri dhe Kosovë”.
Ky tender mban numrin e referencës REF-90228-03-17-2021 dhe ka si fond limit vlerën prej 225,000,000 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 3 miliardë lekë të vjetra me gjithë TVSH. Në thelb gjithë këto para Skerdi Drenova parashikon t’i shpenzojë për paketa software dhe për platforma ndërlidhëse. Me pak fjalë një gjetje e vërtetë për të bërë “rrush e kumbulla” plot 3 miliardë lekë. Mbetet vetëm të pritet se cili do të jetë “fatlumi” që do të “kullufisë” këto para nëpërmjet Skerdi Drenovës.