E pabesueshme të dashur miq! Një institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit ka hapur një tender mjaft të çuditshëm. Bëhet fjalë për Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura të drejtuar nga Zamir Dedej.
Rezulton se kjo agjenci ka organizuar një tender me numër reference REF-84226-01-18-2021 dhe me objekt Shërbim parkimi për automjetet e AKZM-së. Duket mjaft e çuditshme se si një institucion shtetëror të mos ketë vend për parkim. E megjithatë, akoma më e çuditshme është kur mëson se fitues shpallet një hotel. Po po, pikërisht kështu. Rezulton se tenderin e ka fituar “The PLAZA Tirana”, hoteli luksoz shumë katësh në qendër të kryeqytetit.
Mësohet se bëhet fjalë për 4 automjete të cilat do të parkohen për një periudhë 12-mujore në parkimin e hotelit luksoz. Për këtë shërbim agjencia do të paguajë 416,000 lekë të reja, në një kohë që fondi limit është 416,666 lëkë të reja. Çudia vazhdon përsëri, pasi shikohet se vlera fituese është thuajse identike me atë të fondit limit, përkatësisht sa 99.84% e tij.