Tenderi për të dhënë me koncesion projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim të segmentit rrugor Milot-Thumanë-Kashar- Luzi i Vogël- Fier ka dështuar. Sipas Dosja.al Ministria e Infrastrukturës ka skualifikuar ofertën e vetme në garë, pasi sipas saj nuk plotësonte kushte teknike. Ndërkohë mësohet se e vetmja ofertë e prezantuar ishte nga kompania greke "TERNA”.
Investimi në këtë projekt ishte parashikuar të arrijë 1.2 miliardë euro dhe është shpallur ofertë e pasuksesshme, pasi nuk plotësonte kushtet teknike. Gjatësia e rrugës është 115 kilometra, nga të cilat 53 janë rrugë e re dhe 62 të tjerat gjatësi që do të rehabilitohen. Tenderi ishte ndërkombëtar dhe pjesë e projektit madhor i autostradës Adriatiko-Joniane.
Ndërkohë, rruga Milot-Fier pritet të përfundojë deri në vitin 2026. Ky investim do të bëhej nga kompani private, ndërsa shteti garantonte 10% të investimit në 16 vitet e para, nëse nuk plotësohej trafiku prej 32 mijë automjetesh. Mësohet po ashtu se tenderi do të rihapet përsëri për të gjitha kompanitë e interesuara.