Shkodran Mustafi po luan vitin e fundit në Premier League, teksa ka vendosur të mbyllë eksperiencën e tij te Arsenali në fund të këtij sezoni, kur edhe të ketë mbushur plot 5 vite me fanellën e “topçinjve”. Futbollisti me origjinë shqiptare ka refuzuar zyrtarisht rinovimin. Klubi londinez i ka bërë disa oferta për kontratë të re qendërmbrojtësit 28-vjeçar, por ky i fundit i ka refuzuar të gjitha dhe ditën e sotme ua ka bërë të qartë drejtuesve se dëshiron të largohet me parametra zero në fund të sezonit.
Sipas mediave angleze, një tjetër arsye që Mustafi dëshiron të largohet, është edhe familja e tij që prej kohësh jeton në Zvicër dhe aktualisht mbrojtësi 28-vjeçar po merr në konsideratë një rikthim në kampionatin italian apo transferim në atë gjerman. Më herët për Mustafin ka shfaqur interes të fortë edhe klubi i Lazios, që nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me Arsenalin për vlerën e kartonit të mbrojtësit, ndërsa tani Igli Tare ka mundësi të bëjë një tjetër goditje të bujshme, duke e marrë me parametra zero.