Ditët e fundit redaksia e JOQ Albania ka bërë publike me fakte se si efektivët e Policisë së shtetit, në vend të jenë në krye të detyrës duke luftuar krimin që ka lulëzuar në çdo cep të vendit, ngujohen nëpër zyrat e shtetit duke i rënë qylit dhe e mbyllin ditën me një procesverbal, në të cilin monitorojnë mediat opozitare dhe numrin e pëlqimeve dhe komenteve nën postimet ku qeverisë i dalin të palarat nga vetë populli.
Në rastet e fundit që shqyrtuam, ndër këto procesverbale, më e monitoruara ishte pikërisht media jonë, në çdo postim ruheshin me imtësi edhe komentuesit, për llogari të shtetit. Por në një tjetër procesverbal, të mbajtur nga OPGJ Gertian Brovina, nën shqyrtim rezulton të ketë qenë edhe faqja Artistët Shqiptarë në një postim ku thjesht raportohej magnituda e tërmetit të Nëntorit.
Ky postim është konsideruar si përhapës paniku, arsyen pse një raportim ngjarjeje reale është cilësuar i tillë, mund të na e thotë vetëm OPGJ Gertiani, i cili u pagua për këtë ditë pune me taksat tona. Këtu qëndron çmenduria më e madhe që shkon deri në kufijtë e absurditetit! Me fjalë çalë-çalë, diku me w e disa me ë, kështu OPGJ Brovina ka printuar shqyrtimin e tij me bojë të dalë nga printerat e Policisë së Shtetit, ashtu si vetë unifroma e tyre, për të cilat shpenzohen miliarda çdo vit nga taksat tona.