16 tetori mbahet mend gjithmonë si një nga datat më të rëndësishme në historinë e Barcelonës, por edhe të La Ligas. Pikërisht në atë datë, Barcelona mposhtte Espanyolin 1-0, dhe në atë ndeshje bënte debutimin profesional Lionel Messi. Deri në ato momente, Messi kishte bërë disa paraqitje për ekipin e dytë të Barcelonës në Segunda Division B, por ish-trajneri i skuadrës së parë katalane, Frank Rijkaard, ishte impresionuar nga loja dhe stërvitja e tij dhe e kishte ftuar 17 vjeçarin në stol kundër Espanyolit.
Gjatë ndeshjes, ai vendosi t’i jepte tetë minuta lojë, duke zëvendësuar Decon. Që nga ajo kohë, karriera e Messit në Barcelonë ka qenë emocionuese. Ai në 734 ndeshje ka shënuar 635 gola, duke asistuar edhe 279 herë. Messi ka ndihmuar Barcelonën të fitojë 10 tituj të La Ligas dhe katër herë Ligën e Kampionëve, gjithashtu edhe disa tituj të tjerë. Në aspektin personal, Messi ka fituar gjashtë herë Topin e Artë. Vlen të përmendet edhe fakti se 33 vjeçari argjentinas është golashënuesi më i mirë në histori të Barcelonës.