Zjarri masiv që përfshiu një fasoneri këpucësh dhe çantash në Skrapar dyshohet se është shkaktuar nga një shkëndije elektrike në një prej makinerive. Detajet e reja nga vendi i ngjarjes tregojnë se kompania e përpunimit nuk kishte asnjë punonjës brenda. Në fabrikën "Alba Shoes" ndodheshin vetëm drejtuesit, të cilët po mbyllnin punën në momentin e rënies së zjarrit. Punonjëset ishin larguar në orën 17.00, atëherë kur mbyllnin edhe turnin.
Materiali në sasi të madhe që ndodhej në fabrikë ka ndihmuar flakët të përhapeshin me shpejtësi, duke shkrumbuar godinën. Në afërsi të kësaj fasonerie ndodheshin edhe 2-3 banesa. Ndonëse zjarrëfikësit kanë pasur edhe lumin e zonës pranë fabrikës, flakët e kanë dëmtuar tërësisht fasonerinë. Deri më tani nuk raportohet për dëme në njerëz.