Paris Saint-Germain ka fituar Kupën e Francës me rezultatin 1-0 përballë Saint Etienne.
Goli i vetëm i takimit që i dhuroi trofeun e parë sezonal parizienëve, u shënua nga braziliani Neymar në minutën e 14-të.
Por përveç fitores së Kupës, PSG ka marrë një lajm të keq nga kjo finale. Kylian Mbappe është detyruar të largohet nga fusha e lojës në minutën e 33-të pjesës së parë, pasi ishte viktimë e një ndërhyrje të dhunshme nga Perrin, qendërmbrojtësi i St Etienne.
Megjithëse doli në këmbë, Mbappe u pa që ishte shqetësuar për gjendjen e tij dhe kjo dukej nga lotët e 21-vjeçarit.
Shkalla e dëmtimit sigurisht që mbetet për t’u vlerësuar, por sfida e çerekfinales në Champions League kundër Atalanta, e planifikuar për 12 gusht, mund të jetë në rrezik.
Ndërkohë Perrin, pas ndërhyrjes vrasëse ndaj sulmuesit, ka shkaktuar një zënkë të furishme në fushë, në të cilën janë përfshirë shumë lojtarë. Mbrojtësi më pas u përjashtua falë ndihmës së VAR, pasi gjyqtari në fillim e kishte kufizuar vetëm me një paralajmërim.