Shqipëria është një vend që nuk bën për njerëzit e ndershëm. Pra, nëse ti ke mbaruar një shkollë më shumë sakrifica, ke studiuar dhe në fund fare ke gjetur një punë që mezi paguan qiranë e shtëpisë, mezi paguan dritat e ujin dhe të thahet shpirti për ndonjë drekë jashtë me gruan dhe fëmijët në fundjavë, ky vend nuk është për ty. Gjithmonë në rastin më të mirë, pasi fare mirë mund të jesh edhe i papunë.
E themi këtë, sepse në këtë vend bëjnë përpara vetëm ata që shkelin ligjin dhe bëjnë “pisllëqe” siç thotë populli. Gjithë të tjerët, janë të detyruar t’i thonë derrit dajë. Po, po. Me shumë mundësi edhe ti që po lexon këtë artikull.
E pra, Rilindja vazhdon të shpërndajë paratë tona po tek të njëjtët persona, madje edhe kur këta shkelin ligjin dhe arrestohen për skema mashtrimi ndaj shtetit. I tillë është rasti i Paqsor Buzit, super-peshkaqenit të Rilindjes që nuk ka lënë tender të majmë “të bjerë në tokë”.
Siç dihet, Paqsori ndryshe nga ç'ka emrin, u arrestua në shtator të 2019-s, për evazion fiskal dhe pjesëmarrës në një skemë mashtruese me TVSH bashkë me disa biznesmenë të tjerë. Ata u akuzuan se prodhonin në mënyrë fiktive fatura shit-blerjesh me qëllim përfitimin e TVSH-së. Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës të asaj kohe, vlera e faturave fiktive ishtë 182.6 milionë lekë me një dëm prej 25.7 milionësh si rimbursim TVSH-je për buxhetin e shtetit.
Gjithsesi ky fakt nuk e ka ndaluar aspak SH.A UJËSJELLËS KANALIZIME LUSHNJE, e cila varet direkt nga Bashkia Lushnje dhe kryetari i saj Fatos Tushe, që t’i “japë në dorë” gati 2,3 milionë euro me TVSH kompanisë që administrohet dhe gjithashtu është në pronësi të Paqsor Buzit, përkatësisht “G.P.G COMPANY” Sh.p.k.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Rehabilitimi i linjës kryesore të linjës së furnizimit me ujë nga Rrotondo e Grabianit deri në stacionin e pompave Virovë, Lushnje”, publikuar ditën e sotme. Sa për “kronikë”, bashkë me kompaninë e Paqsor Buzit, bënin pjesë si bashkim operatorësh ekonomikë edhe dy kompani të tjera, përkatësisht “LLAZO” SH.P.K me administrator Aldi Llazi dhe “FENIKS KONSTRUKSION” SH.P.K me administrator Jaho Shyti.
Në të ashtuquajturën garë, morën pjesë 4 kompani, nga të cilat njëra nuk ofroi fare vlerë ekonomike, ndërsa dy të tjerat ofruan vlera më të larta dhe pothuaj identike me njëra-tjetrën. Kaq u desh dhe Paqsori kullufiti 2,3 milionë euro të tjera. I ngrënç gëzuar o mik!