Kush ka interes për rënien e euros?

Shkruar nga: A Koci | Publikuar më: 05.06.2023, 18:31

Në janar të këtij vitit, 1 euro këmbehej me 117.5 lekë, ndërsa sot pas gjashtë muajve, 1 euro këmbehet me 108 lekë. Një rënie drastike me 10 lekë, e cila nisi që verën e vitit të shkuar gjatë krizës ekonomike. Madje në këto momente, në tregun e lirë një euro blihet me 107.5 lekë dhe shitet me 108.4 lekë, kuota këto të pamenduara kurrë vetëm disa muaj më parë.

Por kush ka interes që euro të ulet dhe përse leku është fuqizuar karshi monedhës europiane? Shqipëria nuk është një ekonomi botërore, dhe leku nuk është një para e fuqishme karshi euros që përdoret në gjithë Europën e zhvilluar. Teoria se leku po forcohet e po merr vlerë bie, pasi çmimet janë të larta dhe leku është shumë i dobët përballë inflacionit.

Turizmi

Qeveria e justifikon rënien e euros me bumin e turizmit dhe parave që shpenzuan të huajt në Shqipëri. Edhe kjo teori është e dyshimtë pasi në vitin 2022, të ardhurat nga turizmi ishin 1 miliard euro, aq sa do të marrë kompania për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar. Ja pra që të ardhurat nga turizmi u harxhuan, ose do të harxhohen me dy a tre koncesione private. Ndërkohë, shqiptarët që pushuan jashtë vendit harxhuan 1.77 miliardë euro me udhëtimet e tyre, pra gati dyfish. Në një ekonomi tregu të lirë, kjo do të sillte rritjen e euros (dhe jo uljen) pasi shqiptarët do të kishin kërkesë më të lartë për euron për ta shpenzuar jashtë, sesa gjendja që do ishte në Shqipëri prej ardhjes së turistëve. Por për habi euro nuk u rrit, por ra.

Lëvizjet e bankave dhe kompanive të mëdha

Kryesisht bankat e nivelit të dytë por dhe korporatat e mëdha ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri mund të jenë duke luajtur një “lojë” për të përfituar nga kursi i këmbimit. Ato mund të kenë përmbytur qëllimisht tregun e vogël shqiptar me sasi tepër të lartë valute në mënyrë që kursi me lekun të ulet artificialisht deri në një kuotë të caktuar. Kur të arrihet kuota e dëshiruar, këta aktorë mund të blejnë sasi shumë më të mëdha të euros tashmë me çmim shumë të lirë dhe më pas të transferojnë menjëherë eurot e blera në drejtim të kompanive mëmë në Europë. Ky do të ishte një fitim i pastër për xhepat e tyre dhe për llogaritë në euro që kanë në Europë.

Pastrimi i parave!

Duket se kjo në fakt është arsyeja kryesore e zhvlerësimit drastik të euros, në nivele aspak të imagjinueshme më parë. Boomi i lejes së ndërtimeve dhe ngritja e godinave të reja, kryesisht në Tiranë, ofron një mundësi tepër të mirë për të pastruar paratë. Lejet e shumta të dhëna dhe ndërtimet e njëpasnjëshme ofrojnë një mundësi të artë për të “ngrirë” paratë e pista në pasuri të paluajtshme. Në një kohë kur noterët, shitësit dhe blerësit janë të përfshirë në një evazion galopant fiskal ku çmimet e blerjes manipulohen e ulen shumë më tepër se vlera reale e shitjes, pastrimi i parave në ndërtim lehtësohet akoma më shumë. Kjo sjell një fluks jashtëzakonisht të lartë eurosh të pista të cilat injektohen në ndërtim për pastrim.

Në fund “e ha” vetëm populli!

Nga kjo situatë po humbasin vetëm shqiptarët e thjeshtë dhe punëtorë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, humbjet në eksportet e prodhimeve vendase, si ato bujqësore, fasonet etj, janë minimalisht 12% vetëm nga zhvlerësimi i euros krahasuar me një vit më parë. Nëse përllogaritet shtrenjtimi i karburanteve dhe kostos së ushqimeve bazë të shportës, humbjet janë të paktën 25%. Kjo situatë godet gjithashtu shumë nënat e baballarët e moshuar që ndihmohen çdo muaj nga kursimet e fëmijëve të tyre emigrantë në valutë të huaj, kryesisht euro. Pra, ata të cilët po punojnë me ndershmëri nuk po arrijnë të fitojnë as sa për të mbajtur gjallë familjen apo aktivitetin e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit