Dhanë lekët për të marrë tenderin/ Pas sekretares Duro, arrestohet inxhinieri dhe administratori i firmës

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 04.06.2023, 14:32

Pas arrestimit me urdhër të SPAK të shtetases Joana Duro, sekretarja e përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nën akuzën për korrupsion, pasi dyshohet se ka abuzuar me një tender, sot kanë rënë në pranga edhe administratori i kompanisë 'DRICONOS' Vladimir Topi si dhe inxhinieri po i kësaj kompanie.

E besuara e Ogerta Manstirliut, ka marrë ryshfet për një tender për supervizim punimesh në disa qendra shëndetësore. “DRICONS”, në pronësi të Vladimir Topit, i ka dhënë Duros 330 mijë lekë ryshfet që ajo të ndikonte për t’i shpallur fitues në tenderin për supervizimin e rikonstruksionit të disa qendrave shëndetësore në qarqet Tiranë dhe Durrës.

SPAK njofton se ka qenë inxhinieri i kompanisë që ka dërguar shumë e parave prej 330.000 lekësh nga banesa e Topit dhe ia ka dërguar një gruaje, e cila bëri lidhjen me Duron.

Njoftimi i SPAK-ut:

Në vijim të njoftimit të datës 03.06.2023, informojmë se në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.10/1 të vitit 2023, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 03.06.2023 dhe 04.06.2023 urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Posaçme ndaj shtetasve V. T. dhe S. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nene 245 dhe 25 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore është krijuar dyshimi se vlera e përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasja J.D., me funksionin Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në shumën 330.000 lekë), është dhënë si ryshfet nga shtetasi V.T., administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Po ashtu, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin se shtetasi S. Sh., me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dri…..” sh.p.k, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga banesa e shtetasit V. T., ja ka dërguar më pas shtetases L. Sh., e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, J. D., kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro u arrestua dy ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), nën akuzën për korrupsion dhe ryshfet dhe bashkë me të edhe një tjetër punonjëse e Ministrisë së Shëndetësisë, Laureta Sheto ka rënë në pranga për të njëjtën akuzë. Dy zyrtaret e Shëndetësisë kanë qenë në përgjim dhe janë arrestuar në flagrancë mbrëmjen e sotme. Dyshohet dy të arrestuarat kanë abuzuar me një tender me vlerë 2 milionë lekë, ndërkohë Prokuroria e Posaçme ende nuk ka dalë me njoftim zyrtar për rastin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit