Goditi me thikë dy persona në Sarandë, arrestohet “Radari” problematik

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.06.2023, 20:04

Një sherr me thika ka ndodhur ditën e sotme Sarandë.

Shtetasi Fatmir Jashari, i njohur me pseudonimin “Radari” ka plagosur me thikë në kokë 2 persona.

52 vjeçari i cili është arrestuar para pak çastesh rezulton të jetë person problematik dhe me precedentë penalë pasi është arrestuar 3 herë për vepra të ndryshme penale.

Në vitin 2000 ai është arrestuar në Korfuz nën drejtimin e një skafi me të cilin kryente trafik droge, ngjarje për të cilen u dënua 2 vite burg.

Pas kësaj ai është arrestuar në vitin 2009 pasi policia e Gjirokastrës i gjeti një sasi prej 50 kg kanabis.

Edhe në vitin 2013 “Radari” është arrestuar në Sorone, Bashkia Konispol me 240 kg kanabis dhe një kallashnikov.

Ndërkohë që pas arrestimit të tij ditën e sotme, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar nitrat amoni, që përdoret si lëndë plasëse artizanale, 16 kapsolla detonatore dhe 3 fishekë luftarakë.

Njoftimi i policisë Sarandë:

Plagosi me mjet prerës (thikë), 2 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit në kohë të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 52-vjeçari, autori i dyshuar.

Sekuestrohen një sasi municioni luftarak dhe një sasi lënde plasëse artizanale, që u gjetën në banesën e autorit të dyshuar.

Sot, rreth orës 14:00, në lagjen nr. 2, Sarandë, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi F. J., 52 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasit E. S., 54 vjeç dhe S. Ll., 62 vjeç, të dy banues në Sarandë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale nga Policia, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit F. J.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e 52-vjeçarit, gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar nitrat amoni, që përdoret si lëndë plasëse artizanale, 16 kapsolla detonatore dhe 3 fishekë luftarakë.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. J., 52 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit