Kurti: Nuk mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 03.06.2023, 17:38

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se nuk mund të ketë kryetarë të rinj në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – pa zgjedhje të reja.

“Unë e kuptoj që zgjedhjet që janë mbajtur në veri të Kosovës, kanë pasur dalje shumë të ulët dhe legjitimiteti është i vakët, mirëpo këta kanë pak legjitimitet, e ata të tjerët kanë aspak legjitimitet”, ka deklaruar Kurti.

Kurti u është referuar kryetarëve të rinj shqiptarë, të cilët i kanë fituar mandatet në këto komuna, në procesin zgjedhor të prillit, të cilin e kanë bojkotuar pjesëtarë të komunitetit serb.

Tensionet janë rritur në veri, pasi serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potik, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit