“Kthehu në shtëpi, ose do të vritesh”, serbët shënjestrojnë ushtarin amerikan në veri të Kosovës

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 03.06.2023, 13:38

Në veri të Kosovës, në mes të tensioneve janë vendosur forcat e KFOR-it, përfshirë edhe ato amerikane për të ulur sa më shumë gjakrat dhe për të shmangur trazirat e mundshme, pas protestave të dhunshme të organizuara nga serbët.

Për shkak të dhunës së serbëve, disa ushtarë të KFOR-it, italianë e hungarezë, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, e të tjerë kanë pësuar fraktura e djegie për shkak të dhunës së protestuesve. Por duket se serbët nuk po mjaftohen me kaq.

Në rrjetet sociale, kryesisht në “Twitter”, llogari me emra të ndryshëm janë nisur një fushatë kundër një ushtari i SHBA-së, të cilin kanë arritur ta identifikojnë përmes një fotoje të shkrepur në veri të vendit. “Amerikan, Kosova është Serbi, kthehu në shtëpi”, ka shkruar një prej llogarive që ka shpërndarë fotografinë e ushtarit amerikan.

Në të njëjtin postim, një tjetër person ka shkruar: “Kthehu në shtëpi, ose do të vritesh”. “Stanley solli një armë automatike në tokën e shenjt serbe, ai kurrë s’duhet të kthehet më në shtëpi”, është komenti tjetër. Një tjetër llogari ka shkruar se “Stanley është një ushtar fashist” dhe se “NATO është organizatë naziste që synon shkatërrimin e Rusisë”.

Forcat amerikane vazhdojnë që nga viti 1999 të jenë të pranishme në Kosovë dhe janë të vendosura në një prej bazave më të mëdha në rajon, e vendosur në qytetin e Ferizajt e që quhet “Bondsteel”. Bazuar në Rezolutën 1244 forcat amerikane bashkë me forcat e tjera të KFOR-it kujdesen për mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.

Disa prej “screenshot”-eve janë të marra në postimin e llogarisë së Darko Bubonja, një person nga Serbia. Ky postim i Darko Bubonja ka marrë mbi 600 shpërndarje, mbi 2 mijë pëlqime dhe e kanë parë afro 62 mijë njerëz në “Twitter”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit