Sekretarja e Manastirliut mori 3 milionë lekë për të favorizuar një kompani në tender

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.06.2023, 12:11

Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas të dhënave të SPAK Joana Duro është vënë në pranga sepse ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 lekësh, për të favorizuar një Operator Ekonomik.

Paratë u dhanë nga Laura Shteto, e cila punon si Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

SPAK njofton se nga hetimet janë grumbulluar prova se një operator ekonomik do të jepte para me qëllim shpalljen fitues në një procedure prokurimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor.

Prokurimi në fjalë ishte me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e informacioneve të sigurura nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka regjistruar procedimin penal 10/1 të vitit 2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.

Nga ndjekja me metoda speciale të hetimit janë grumbulluar prova të cilat kanë evidentuar se, një operator ekonomik do të jepte një përfitim të parregullt (në formën e shumave monetare) me qëllim shpalljen fitues në një procedure prokurimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në cilësinë e Autoritetit Kontraktor), Prokurimi në fjalë ishte me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se shtetësja Joana Duro, me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, për të favorizuar një Operator Ekonomik. Këto vlera monetare u dhanë nga shtetësja L. Sh.,

me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorisë së Posaçme, arrestuan në flagrance në datën 02.06.2023 shtetaset Joana Duro dhe Laura Sheto, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.

Gjithashtu në zyrën Sekretares së Përgjithshme u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e proves materiale të shumës prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë (shumë e cila përbën përftimin e parregullt të dhënë nga shtetësja Laura Sheto).

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit