Berber Visi “qeth” 26 milionë euro për 4.6 KM, drejt e në xhepat e “4-AM”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.06.2023, 21:49

Evis Berberi, apo ndryshe qethësi më i famshëm i qeverisë, ka vazhduar përsëri punën duke përdorur gërshërët e tij. Me veglën në dorë, berber Visi ka prerë feta-feta plot 26 milionë euro nga taksat e popullit dhe i ka futur me delikatesë në xhepat e Ardit Metaliaj të firmës “4-AM”.

Ky i fundit dyshohet dhe është akuzuar shpesh në media se përdoret si kompani-maskë nga oligarku Bashkim Ulaj. Në këtë tender ka aq shumë skandale sa nuk di se nga t’ia fillosh më parë. Fillimisht mësohet se 26 milionë euro do të jepen për fazën e dytë të zgjerimit të rrugës Elbasan – Qafë – Thanë.

Procedura mban numrin e referencës REF-64067-03-29-2023 dhe ka si fond limit shifrën prej 2,499,999,918 lekë të reja pa TVSH ose rreth 27 milionë euro me TVSH të përfshirë. Duke shfletuar dokumentacionin teknik rezulton se bëhet fjalë për një distancë prej 4.6 kilometrash.

Pra i bie që kosto e çdo kilometri të jetë e barabartë me rreth 5.7 milionë euro, një çmenduri që na e mundëson vetëm berber Visi. Por përtej kësaj, tenderi ka një sërë elementesh të dyshimtë në mënyrën e përcaktimit të fituesit.

Shikohet se nga tre kompanitë pjesëmarrëse, njëra prej tyre ka ofruar gati 2.8 milionë euro me TVSH, më pak sesa kompania e Ardit Metaliaj, pas së cilës siç thamë dyshohet se fshihet vetë Bashkim Ulaj.

Imagjinoni pak se sa e lartë mund të jetë vjedhja në një tender ku ndonëse dikush ofron thuajse 3 milion euro më pak, nuk merret aspak në konsideratë. Jo vetëm kaq, por firma “4-AM” rezulton të jetë ajo që ka patur gjithashtu ofertën më të lartë nga të dyja kompanitë e tjera.

Së fundmi duke krahasuar ofertën fituese prej rreth 26 milionë eurosh me TVSH me fondin limit të tenderit, vihet re me tmerr se shifrat janë thuajse identike. Pra firma “4-AM” ka ofruar thuajse 100% të fondit limit. Doni më për Visin?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit