Emiriana Sako shpenzon 341 MLN lekë për poça dritash, fiton oferta më e shtrenjtë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 01.06.2023, 13:12

Mandatin e ri, kryebashkiakia e Durrësit, Emiriana Sako e ka nisur me firmosjen e kontratave abuzive. Ndërsa është mësuar që fondet e bashkisë t’i shpenzojë për luksin e saj, këtë herë Sako është kujtuar të rregullojë poçat e dritave në disa rrugë të qytetit. Për këtë, më datë 31 maj Bashkia Durrës ka mbyllur tenderin me objekt “Rehabilitimi i ndriçimit te akseve rrugore”. Konkretisht, bëhet fjalë për disa rrugica në zonën e kënetës në Durrës.

Këto rrugë janë shtruar së fundmi, por nga nxitimi që t’i kishte gati për fushatën zgjedhore, Sako ka harruar t’i pajisë me ndriçim. Sepse sipas rregullit, rrugët kryesore në lagjet e qytetit, ndërsa shtrohen me asfalt duhet t’u vendoset edhe sinjalistika apo ndriçimi.

Gjithsesi, Sako ecën me shprehjen “më mirë vonë se kurrë”. Por, ajo që zbulojmë nga ky tender na sjellë ndërmend shprehjen “kap ça të kapësh”. Sepse kontrata në fjalë ka përfunduar në duar biznesmenësh të pangopur, me shumë shpenzime dhe pa garë.

Në dokument shohim se janë paraqitur 7 firma, 6 prej tyre Sako i skualifikoi menjëherë. Madje janë përjashtuar nga gara edhe 3 ofertat më të lira të paraqitura nga firmat SARDO shpk & ALB SHPRESA, RAFIN COMPANY shpk, BOE C O L O M B O shpk & BLERIMI shpk.

Në garë mbeti vetëm oferta e paraqitur nga bashkimi i operatorëve BEQIRI” shpk & “B93 II” shpk &“B-93” shpk, e cila mbante vlerën 341 milionë lekë. Ndërsa fondi limit i bashkisë ishte në vlerën 416 milionë lekë. Në këtë pikë kemi ofertën më të shtrenjtë fituese, sa 75% e fondit limit, si dhe faktin që kjo ofertë është përfituar në mungesë të konkurrencës.

Ndërkohë, saga e abuzimit shtohet kur vërejmë se emrat e fituesve janë mjaftë të njohur në aferat e tenderëve. Firma B93 II është në pronësi të Ardit Liçajt, firma B-93 ( ish "BALLSH 93") është në pronësi të Shpëtim Liçaj dhe Dashnor Liçaj. Ndërsa firma “Beqiri” ka si pronar Neim Beqirajn, i cili gjithashtu ka përfituar shumë tendera pa garë nga Bashkia Tiranë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit