Vis Berberi “qeth” përsëri, 2.2 miliardë në xhepat e JUBICËS pa konkurrencë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.05.2023, 21:24

Evis Berberi duket se është zëvendësuesi më i denjë i Ergys Verdhos në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Sigurisht jo për shkak të profesionalizmit, sesa për shkak të aftësisë së spikatur për të abuzuar me paratë e taksave tona e për t’i shpërndarë nëpër xhepat e oligarkisë.

Kjo natyrisht bëhet nëpërmjet tenderave të dyshimtë. Dhe Evis Berberi është pa asnjë ngatërresë, personi i duhur për të bërë këtë punë. Kjo pasi tenderat e tij të dyshimtë shfaqen thuajse përditë. I tillë është edhe rasti që po ju paraqesim në vijim.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-66739-04-20-2023 dhe me objekt “Përmirësim i sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në akset e Rajonit Verior, Loti 1 (2023)”.

Ky tender ka si fond limit vlerën prej 191,636,691 lekësh të reja pa TVSH ose gati 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Tani le të shohim dokumentacionin e kësaj procedure. Rezulton se kemi të bëjmë me një mungesë totale konkurrence.

Në të ashtuquajturën garë, ka marrë pjesë vetëm një kompani e cila ka ofruar 186,000,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.2 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Duke mos patur asnjë konkurrent tjetër kjo kompani e ka patur tepër të lehtë të dalë e para e të kualifikohet.

Si rrjedhojë Vis Berberi e ka shpallur fituese kompaninë në fjalë e cila është JUBICA në pronësi të Ndoc Kulla. Përveç mungesës së konkurrencës, shikohet edhe një tjetër aspekt i dyshimtë i këtij tenderi.

Nëse krahasojmë vlerën fituese me fondin limit, shikohet se oferta e JUBICA është thuajse identike me fondin limit, përkatësisht sa 97% e tij. Thënë sa më sipër, duket se Vis Berberi vazhdon ta bëjë më së miri punën e tij për të gllabëruar paratë e shqiptarëve nëpërmjet tenderave të dyshimtë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit