I dha Kupën Interit me dygolëshin e tij, Lautaro: Dua të sjellim edhe trofe të tjerë

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 25.05.2023, 09:58

Lautaro Martinez ishte ai, që i dha Interit një tjetër trofe me dygolëshin e shënuar në mbrëmjen e djeshme, duke përmbysur Fiorentinën me shifrat 2-1 në finalen e Kupës së Italisë. Rezultoi të ishte një ndeshje mjaft emocionuese, sepse Nico Gonzales shënoi pas vetëm tri minutash për Fiorentinën.

Megjithatë, Lautaro nxitoi të shënonte dy gola në fundin e pjesës së parë, për të përmbysur gjithçka dhe rezultati u ruajt deri në fund dhe i dha Kupën numër 8 të Italisë zikaltërve. Ndërkohë, për Lautaron, të mbrëmshit ishin golat numër 100 dhe 101.

“Sinqerisht, jam i prekur, sepse prej disa vitesh ne i sjellim trofe këtij klubi të madh dhe duhet të vazhdojmë kështu. Jam shumë i lumtur. Doja të ngrija një kupë tjetër, kjo është ajo që ka të bëjë sporti, fitorja. Ne filluam keq në 15 minutat e para, por më pas gjetëm qasjen e duhur dhe arritëm ta kthenim atë.

Jam shumë i lumtur që e kthej këtë trofe në Milano ose më mirë ta mbajmë atë, duke parë se aty ishte vitin e kaluar. Dua të vazhdoj të jap kontributin tim për Interin, sepse kjo është ajo që ka rëndësi”, tha argjentinasi, që po përjeton një sezon ëndrrash, pasi triumfoi në Kupën e Botës me Argjentinën e tashmë përpara ka finalen e Stambollit më 10 qershor, kur do të ndeshet me Manchester Cityn.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit