Projektet kushtojnë 5 MLN €‎, Evis Berberi iu shton edhe 373 MLN LEKË për supervizorë punimesh

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 21.04.2023, 10:55

Ndonëse premtimet për ndërtimin e rrugëve vazhdojnë të mbeten ende në letër sepse punimet zvarriten. Paratë vazhdojnë të derdhen, por përgjegjësi nuk mban askush. Tashmë kreu i ARRSH, Evis Berberi është kujtuar që të vendosë mbikëqyrës për 3 projekte dhe sigurisht do të derdhen para shtesë.

Konkretisht, bëhet fjalë për projektin “Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë(Faza II)”, projektin me objekt “Sistemim asfaltim rruga Ura e Cerenecit – Peshkopi (Peshkopi – Maqellarë), Loti 3” dhe për projektin “Plotësimi i punimeve të mbetura në aksin Porto Romano – Durrës Loti 3”. Për këtë tre këto projekte Berberi do të paguajë mbikëqyrës punimesh, shtesë fondit të përcaktuar këto plane.

Vetëm zhvillimi i punimeve për këto tre akse ka rrëmbyer 535 milionë lekë ose rreth 5 mln euro. Sipas të dhënave të APP, sistemimi i asfaltit në rrugën Ura e Cerenecit – Peshkopi do të kushtojë 12 milionë lekë. Pa përfshirë këtu mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen.

Ndërsa projekti për zgjerimin e rrugës Elbasan – Qafe – Thanë do të kushtojë 24 milionë lekë. Plan i cili po ecën shumë ngadalë.

Ndërsa projekti me objekt “Plotësimi i punimeve të mbetura në aksin Porto Romano – Durrës Loti 3” ka si fond limit 499 milionë.

Këto para janë lëvruar dhe janë në xhepat e biznesmenëve që kanë fituar kontratën.

Tani Berberi vë “qershinë mbi tortë” dhe do të shtojë 373 milionë lekë të tjera që të paguajë persona që të mbikëqyrin punimet në këto rrugë.

Në njoftimet e publikuar në buletin e APP thuhet se 200 milionë lekë do të shpenzohen për supervizorin e punimeve në aksin Elbasan- Qafë Thanë. Përfituesi do të marrë para për 2 vjet, aq kohë sa planifikohet të zgjasin punimet.

Ndërkohë 113 milionë lekë do të marrë supervizori që do të ndjekë punimet në aksin Ura e Cerenecit – Peshkopi. Puna e tij do të zgjasë për 18 muaj

Dhe 58 milionë lekë do t’i marrë supervizori i punimeve në aksin Porto Romano – Durrës për 1 vit punë.

Nga fondet që janë parashikuar deri më tani pritet që për këto projekte, për rregullime asfaltesh, ARRSH do të shpenzojë 908 milionë lekë. Nëse nuk ndodhin të papritura rrugës dhe shtohen para të tjera.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit