Kristiano Ronaldo nuk është i lumtur te Manchester United dhe ka kërkuar largimin, por asnjë ekip i njohur nuk shprehu interes për të.
Gjithsesi , një ofertë e bujshme i erdhi dhe mund të ishte bërë lojtari më i paguar në historinë e futbollit botëror, me diferencë të thellë nga çdo lojtar tjetër që ka luajtur më parë.
Por ylli portugez i ka thënë jo mundësisë për të hyrë në histori si më i paguari, edhe pse kërkonte me çdo kusht gjatë verës që të largohej nga Mançester Junajtid.
“CNN” ka mësuar se ylli portugez, pavarësisht kësaj dëshire, mbetej i bindur se duhej të luante në kampionat elitar e për këtë arsye ka refuzuar një ofertë të pabesueshme nga Arabia Saudite.
Burimet në fjalë tregojnë se Al-Hilal i kishte ofruar portugezit një kontratë dyvjeçare nga e cila do të fitonte 242 milionë euro, një shifër e pabesueshme dhe e paarritshme në futbollin botëror.
Por Ronaldo e ka refuzuar këtë mundësi, duke preferuar që të vazhdojë të luajë në kampionatet e rëndësishme europiane, pasi mendon se ka ende për të dhënë në nivelet më të larta, para se të ndjekë një kontratë fitimprurëse financiarisht që do ta largonte nga vëmendja e opinionit sportiv.