Jo zotëri, sot nuk është dita e Luiza Gegës, sot është dita e zezë e vetëvrasjes së një 17-vjeçareje!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.08.2022, 20:37

Çfarë po ndodh në këtë vend? Çfarë ishte ajo shfaqje e turpshme që të vjen ndot nga sytë kur e shikon? Çfarë ishte ai spektakël fyes propagande me një sportiste të nderuar e të talentuar si Luiza Gega?

A ka vallë nevojë një sportist të përçudnohet në atë farë feje, të bëhet gazi i botës vetëm sepse disa mjeranë të pavlerë të politikës duan të shfrytëzojnë për t’i marrë meritat dhe pas pak kohësh t’i vënë shkelmin siç ndodhi me Ilir Sulin?

A është kjo Shqipëria reale? Jo zotëri, kjo nuk është Shqipëria reale, kjo është Shqipëria e propagandës! Shqipëria reale është Shqipëria e Samantës, një 17-vjeçare që vrau veten akoma pa mbushur moshën madhore.

Po për çfarë e vrau? Për sedër, për nder, sepse familja i nxirrte pengesa në dashurinë e saj? Kush je ti, kush jemi ne, përfshirë prindër, që të vendosim nëse kjo dashuri është “e mirë” ndërsa ajo dashuria tjetër aty është “e keqe”?

A e kuptoni absurdin? Po mbaron viti 2022, dhe në Shqipëri akoma vajzat e reja vrasin veten me helm miu! Viti 2022 dhe vendi ka akoma probleme të mprehta sociale. Ku janë sociologët? Ku janë psikologët? Apo janë përhumbur duke u fryrë nga paratë që marrin për të mbrojtur të drejtat e kushedi çfarë lloj komunitetesh në çdo media të mundshme?

Po për ne, shqiptarët e thjeshtë kush do mendojë, kush do flasë? Çfarë ka bërë kjo politikë për popullin e thjeshtë? Asgjë, miq, asgjë. E pra, sot zotërinj me keqardhje nuk është dita e Luiza Gegës, sot është dita e e zezë e vetëvrasjes së një 17-vjeçareje! Zoti qofte me ty Samanta!/JOQ ALBANIA

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit