Mali i Zi shpall 3 ditë zie për tragjedinë me 11 të vrarë, mes viktimave edhe fëmijë të mitur

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.08.2022, 21:13

Në Cetinje të Malit të Zi 11 persona janë vrarë pasditen e sotme, duke përfshirë këtu edhe autorin 34-vjeçar me iniciale V.B. Mediat malazeze duke cituar burime nga policia dhe prokuroria, raportojnë se autori vrau të paktën 10 persona dhe se në mesin e të vdekurve kishte edhe fëmijë të mitur. Sipas mediave kjo është vrasja masive më e madhe në historinë e re të Malit të Zi.

Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur rreth orës 16:00, dhe sipas informacioneve jozyrtare, motivi i sulmit ka qenë një konflikt familjar. Sulmuesi ka nxjerrë një armë gjuetie dhe ka qëlluar bashkëqytetarët e tij nëpër lagje.

Autori ka qëlluar edhe në drejtim të policisë dhe në atë konfrontim ka mbetur i vrarë. Katër të plagosur janë shtruar në spitalin e Cetinjës, ndërsa dy të plagosur janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë. Një burrë është pranuar në urgjencë me lëndime të rënda në kokë dhe gjoks. Tre pacientë u desh të dërgoheshin me urgjencë në sallën e operacionit dhe lëndimet ishin mjaft të rënda.

Ivan Ivanoviq, Drejtori i spitalit të Cetinjës tha për mediat se dy personat të cilët janë shtruar në atë institucion janë jashtë rrezikut për jetën dhe se një pacient pas trajtimit është liruar për trajtim në shtëpi. Kryeministri Dritan Abazoviç ka njoftuar se qeveria e Malit të Zi ka vendosur të shpallë tri ditë zie për tragjedinë që ka tronditur mbarë vendin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit